
Shqipëria feston këtë të premte 80 vjetorin e Çlirimit nga pushtimi nazist në Luftën e Dytë Botërore, duke kujtuar ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.
Presidenti Begaj, Kryeministri Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë zhvilluan homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve.
Në ceremoni morën pjesë edhe deputetë, veteranë e qytetarë të tjerë. Homazhe u zhvilluan edhe në Vlorë, ku morën pjesë autoritetet me te larta te pushtetit vendor, deputetë, forcat e armatosura, të moshuar si dhe nxënës të shkollave.
Në Shkodër, 80 vjetori i Çlirimit të Shqipërisë u përkujtua me një ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve, ndërsa nuk munguan simbolet komuniste.
Mijëra qytetarë kujtuan të rënët për liri edhe në Elbasan, Fier e Krujë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në territorin e saj hynë forcat gjermane. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të merrej edhe Shkodra. Qyteti u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon dhe ditën e Çlirimit të gjithë vendit nga pushtimi nazi-fashist.



