
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se tani ka qeveri politike në Bullgari dhe se është në mbështetje të plotë të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili premtoi se do të sigurojë garanci shtesë dhe marrëveshje më të mirë se propozimi francez, për realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Filipçe shton se qeveria duhet të nxitojë, pasi Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara drejt BE-së, me hapa të mëdhenj.
“Është legjitime që qeveria të kërkojë garanci shtesë. Një nga argumentet ishte që nuk ka qeveri politike në Sofje, ja tani ka. Absolutisht e mbështes kryeministrin që të kërkojë sa më shpejtë takim me qeverinë politike, përfaqësuesit, kryeministrin në Bullgari, që të pastrohet edhe ajo pjesë, të shohim a mund apo nuk mund të marrim ndonjë garanci shtesë. Do ta mbështesim, e përsëris çdo propozim më të mirë. Absolutisht! Çfarëdo forme të garancive shtesë. Megjithatë le të ndodhë sa më parë, sepse koha kalon, Shqipëria dhe Mali i Zi me hapa të mëdhenj shkojnë përpara”, tha Filipçe.



