
Shkencëtarë nga Fakulteti Teknologjik-Metalurgjik në Shkup janë krijues të materialit të posaçëm për uniformat e ushtarëve, i cili përveç mbrojtjes nga kushtet e palovitshme të motit, me ndryshimin e ngjyrës do të tregojë edhe praninë e gazrave nervorë në mjedis. Projekti do të realizohet me mbështetjen e NATO-s, përmes punës ekipore me shkencëtarë nga Serbia dhe nga SHBA-të. Përveç ushtarëve në Maqedoninë e Veriut, uniformën speciale pritet ta shfrytëzojnë edhe vende tjera anëtare të NATO-s.
Projekti MUL-Pro-Teks, i mbështetur nga programi i NATO-s “Shkenca për paqen” mund të rezultojë me prodhimin e uniformës ushtarake e cila do të mbrojë nga i ftohti, era, shiu, por edhe nga rrezatimi, mikroorganizmat dhe gazrat nervorë, me aplikimin e nano grimcave përmes teknologjisë së ashtuquajtur shtresë-pas-shtrese. Në lidhje me këtë punon profesori nga Fakulteti Teknologjik në Shkup, Igor Jordanov, me kolegët e tij nga Beogradi dhe nga Teksasi.
IGOR JORDANOV, PROFESOR
“Ky projekt ka për qëllim të zhvillojë uniformë shumëfunksionale, e cila do të jetë rezistente ndaj zjarrit, do të mbrojë nga mikroorganizmat, nga rrezatimi UV dhe më e rëmdësishmja do të detektojë gazra nervorë me ndryshim të vetë ngjyrës.”
Në projektin shkencor me buxhet nga NATO 355 mijë euro, prej të cilave 155 mijë për Maqedoninë e Veriut, Fakulteti Teknologjik do të ketë laboratori për materiale të avancuara që bazohen në ekonominë e qarkullimit, e vetmja në Ballkan, ndërsa kompania EAM nga Shtipi do të bëjë prodhimin e materialeve.
RADMILA SHEQERINSKA, MINISTRE E MBROJTJES
“Me mjete të këtilla në Universitetin tonë të Shkupit do të mund të angazhojmë kuadro të reja plotësuese e shkencëtarë dhe t’i japim shans edhe ARM-së të ketë produkte të mira, por edhe ekonomisë së Maqedonisë së Veriut të këtë shanse të reja për fitim. Gjithë kjo shpresoj të jetë mesazh i mirë për komunitetin tonë të akademikëve që të jenë më të angazhuar.”
Sheqerinska shtoi se Maqedonia e Veriut tani nuk është vetëm fuqi ushtarake e NATO-s, por në Aleancë mund të kontribuojë në shumë mënyra të ndryshme, në mesin e të cilave edhe me projekte shkencore si ky. Për momentin nuk është përgatitur produkti final, por ekipi maqedonas-serb-amerikan punon për këtë, duke trajnuar edhe hulumtues të rinj në fushën e prodhimit të “materialeve të avancuara”, siç sqarojnë nga fakulteti. /KlanMacedonia



