
Pensionistët tanë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, sidomos ata të sapodal në pension në Zvicër, janë kthyer në “shënjestrën kryesore” të kontrolleve të imtësishme nga autoritetet serbe, përcjell INA.
Policia dhe dogana serbe kanë krijuar një profil të qartë të viktimave: makina me targa zvicerane, të drejtuara nga të moshuar shqiptarë, por edhe kontrolle të autobusëve.
Sipas raportimeve të fundit, autoritetet serbe po i kontrollojnë ata në mënyrë tejet të imtësishme. Arsyeja? Dyshimi se ata mbajnë me vete shuma të mëdha parash të gatshme (kesh) nga tërhiqja e fondeve të pensionit apo nga ajo që njihet si Krankenkasse (Kasa e Sigurimeve Shëndetësore / Fondet e Kursimeve).
Nuk kontrollohen vetëm në kufi, por edhe nëpër pagesa rrugore
Siç mësohet kontrollet nuk po ndodhin vetëm në pikat zyrtare kufitare. Ka raste të konfirmuara kur makinat me targa të Zvicrës, të drejtuara nga pensionistë shqiptarë, po ndalohen për kontrolle të befasishme edhe nëpër pikat e pagesave të autostradave brenda territorit serb.



