
Një deklaratë tronditëse ka rihapur një nga temat më të diskutueshme rreth triumfit të Francës në Kupën e Botës 1998.
Ish-ministrja franceze e Sportit, Marie-George Buffet, ka pranuar në dokumentarin e ri për Zinedine Zidane se kontrollet e papritura antidoping ndaj kombëtares franceze ishin pezulluar para turneut që u zhvillua në shtëpi.
Sipas saj, urdhri ishte që kombëtares t’i jepej qetësi deri në përfundimin e Botërorit dhe të mos shqetësohej përpara sfidave vendimtare. Një pranim që bie ndesh me deklaratat e saj të mëparshme, pasi në vitin 2013, gjatë një dëshmie para një komisioni të Senatit francez, Buffet kishte thënë të kundërtën: “Ne nuk kemi dhënë kurrë një udhëzim të tillë”. Çështja u rikthye në vëmendje përmes dokumentarit “Zidane, fabrika e një legjende”, transmetuar nga televizioni francez BFMTV, ku trajtohet rrugëtimi i yllit francez gjatë Kupës së Botës 1998.
Debati lidhet me një episod të vitit 1997, kur lojtarët francezë iu nënshtruan një kontrolli të papritur antidoping gjatë grumbullimit në Tignes. Testet rezultuan negative, por reagimi i lojtarëve, trajnerit Aimé Jacquet dhe Federatës Franceze të Futbollit ishte i ashpër. Ata pretenduan se kontrollet dëmtonin përgatitjen e skuadrës për Botërorin.
Alain Garnier, mjeku i dërguar atëherë nga Ministria e Sportit në Tignes, ka treguar në dokumentar se Buffet i kishte komunikuar gojarisht një udhëzim të qartë: “Nuk duhej të shqetësoja më Blutë deri në Kupën e Botës. Me fjalë të tjera, nuk do të kishte më kontrolle të papritura”.
Tashmë edhe vetë Buffet e ka pranuar këtë version: “Pas Kupës së Botës ne rifilluam luftën kundër dopingut”, ndërsa shtoi se udhëzimi “me shumë mundësi kishte ardhur nga nivele më të larta të administratës”. Sipas Garnier, urdhri mund të ketë ardhur nga Matignon, selia e kryeministrisë franceze. Kështu, pas më shumë se 15 vitesh, rrëfimi i ish-ministres ndryshon versionin zyrtar që ajo kishte mbrojtur edhe përpara institucioneve.
Franca e vitit 1998, e udhëhequr nga Zidane, fitoi për herë të parë Kupën e Botës, duke mposhtur Brazilin 3-0 në finalen e Parisit.



