LajmeMaqedoniTopLajm

Shkupi në dy ngjarje: Nga suksesi i OSBE-së 2023 tek dështimi i EYOF 2025

Në më pak se dy vite, Shkupi u bë skenë e dy ngjarjeve ndërkombëtare që e vendosën qytetin dhe shtetin nën dritën e reflektorëve globalë – por me rezultate që nuk mund të ishin më të ndryshme, shkruan PressOnline.al

Në dhjetor 2023, Shkupi u kthye në kryeqendrën diplomatike të Evropës dhe më gjerë, duke pritur Samitin e 30-të Ministror të OSBE-së. Ngjarja u quajt një sukses i jashtëzakonshëm: pa vonesa, pa skandale, me siguri maksimale, logjistikë të përkryer dhe jehonë të gjerë në media vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë, vetëm dy vite më pas, në verën e vitit 2025, i njëjti Shkup ishte skenë e Festivali Evropian Olimpik Rinor (EYOF), që përfundoi si një dështim i rëndë organizativ, me sportistë që flinin nga dy veta në një shtrat, mungesë ujit, ushqim të pamjaftueshëm dhe kritika të ashpra që bënë xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave evropiane.

Si mundet që i njëjti qytet, në një periudhë kaq të shkurtër, të shfaqë dy fytyra kaq të kundërta? Çfarë na tregon kjo për kapacitetet tona, për mënyrën si organizohet shteti dhe për dallimin midis angazhimit shtetëror dhe improvizimit lokal?

Samiti i OSBE-së 2023: Një moment krenarie dhe diplomacie të nivelit të lartë

Në dhjetor 2023, Shkupi priti Takimin Ministror të OSBE-së, që mblodhi mbi 57 delegacione të nivelit më të lartë – ministra të jashtëm nga SHBA, Kanada, BE, NATO, vende të Ballkanit, Mesdheut, Lindjes së Mesme e deri në Azinë Qendrore.

Ngjarja u mbulua nga mbi 300 gazetarë ndërkombëtarë, duke e kthyer Shkupin për disa ditë në një nga qendrat më të përfolura të diplomacisë globale. Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm Bujar Osmani, mori lëvdata nga partnerët ndërkombëtarë për profesionalizëm, organizim dhe drejtim të procesit.

Pse ishte i suksesshëm ky organizim?

Ishte një projekt që kishte në qendër shtetin: MPJ, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes dhe struktura të tjera shtetërore bashkëpunuan ngushtë. Ishte një prioritet strategjik i vendit, me mbikëqyrje direkte politike dhe protokollare. U punua me standarde ndërkombëtare, me konsulencë dhe ndihmë nga OSBE-ja dhe partnerë evropianë. U vendos siguria në qendër të vëmendjes, me masa speciale që garantuan mbarëvajtje pa incidente.

Ky samit u konsiderua nga shumë analistë si një “super-reklamë” për vendin, që sipas tyre “do të kishte kushtuar miliarda euro nëse do të ishte blerë si hapësirë mediatike”.

EYOF 2025: Kur dështimi u bë kronik dhe imazhi u njollos

Në verën e vitit 2025, këtë muaj, Shkupi priti Festivali Evropian Olimpik Rinor (EYOF), një nga ngjarjet më të mëdha sportive për të rinj në kontinent. Pritshmëritë ishin të mëdha – por shpejt gjithçka u kthye në zhgënjim dhe skandal.

Sportistët e rinj dhe trajnerët e tyre denoncuan publikisht: Fjetje nga dy veta në një shtrat të vetëm, mungesë tualetesh private dhe kushte të dobëta higjienike, ujë i kufizuar, vetëm dy shishe për person, dhoma pa kondicioner dhe temperatura të larta, ushqim me porcione të vogla dhe cilësi të diskutueshme.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale bënë xhiron e botës dhe më gjerë, duke e kthyer Shkupin nga “qytet mikpritës” në “shembullin e keq të organizimit”. Kishte edhe incidente të tjera: rrugë që asfaltoheshin natën para garave, dy çiklistë islandezë të lënduar dhe mungesë koordinimi mes institucioneve.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit akuzuan Komitetin Olimpik dhe Ministrinë e Sportit se e përjashtuan nga organizimi, duke zhvendosur aktivitetet në Kumanovë dhe duke shmangur bashkëpunimin lokal.

Dy ngjarje, një vend: çfarë na tregon ky kontrast?

Ky kontrast nuk është vetëm statistikë apo rastësi. Ai zbulon thellësisht: se kur shteti e merr seriozisht, mobilizon burime dhe aplikon standarde ndërkombëtare, mund të organizojë me sukses edhe ngjarje të nivelit global. Por kur organizimi mbetet në dorë të komiteteve të mbyllura, tenderëve lokalë dhe improvizimeve të minutës së fundit, gjithçka kthehet në kaos.

Samiti i OSBE-së ishte një prioritet shtetëror, me interes të drejtpërdrejtë politik, strategjik dhe diplomatik. Ai ishte një test për kapacitetin e vendit për të qenë faktor në rajon dhe u mor seriozisht nga të gjitha institucionet.

EYOF ishte një ngjarje rinore sportive – me rëndësi të madhe për imazh, turizëm dhe ekonominë lokale – por që nuk u menaxhua si projekt shtetëror, u la në duart e disa drejtuesve vendor dhe përfundoi duke dëmtuar reputacionin.

Shkupi ka treguar se ka kapacitet të jetë qytet nikoqir dinjitoz dhe model për rajonin. Por ka treguar edhe anën tjetër: se pa përgjegjësi, pa standarde dhe pa vizion, mund të shndërrohet në shembullin më të keq të improvizimit evropian.(PressOnline.al)

Related Articles

Back to top button
Close
Close