
Qyteti i Shkupit ka ndarë 1.200.000 denarë ndihmë financiare për përballimin e pasojave të tërmetit në Venezuelë, njoftoi kryetari i qytetit, Orce Gjorgjievski.
“Shkupi e di shumë mirë se çfarë do të thotë dhimbja pas një tërmeti shkatërrues. Qyteti ynë e mban këtë plagë thellë në historinë e tij, por mban edhe mesazhin më të fuqishëm: kur është më e vështirë, njerëzimi duhet të tregojë solidaritetin më të madh. Pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, Shkupi nuk u la vetëm. Bota i zgjati dorën dhe njerëz nga të gjitha kontinentet ndihmuan që qyteti të ringrihej nga rrënojat. Ndër vendet e para që ofruan ndihmë dhe solidaritet ishte edhe Venezuela. Shkupi nuk e harron këtë. Prandaj sot, kur populli i Venezuelës po përballet me pasojat e tërmetit, Qyteti i Shkupit përgjigjet me humanizëm, respekt dhe mbështetje”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai shprehu gjithashtu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe u uroi shërim sa më të shpejtë të lënduarve.
“Mendimet tona janë me të gjithë qytetarët që po kalojnë këto momente të vështira. Shkupi u ndërtua falë solidaritetit të botës, ku një nga vendet që na qëndroi pranë ishte edhe Venezuela. Pikërisht për këtë arsye, Shkupi është sot një qytet botëror”, shkroi Gjorgjievski.



