RajonTopLajm

Shikoni diferencën e votave në Kosovë në vitin 2019-2021

Qytetarët e Kosovës gjatë ditës së djeshme, 14 shkurt 2021, iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rezultateve të deritanishme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 48,17% apo 374 mijë e 913 vota nga qytetarët e Kosovës.

Krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2019, ku LVV kishte marrë 26,27% apo 221 mijë e 001 vota, shihet se në zgjedhjet e këtij viti ka arritur ta përmbysë këtë rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ndonëse doli e dyta si parti në nivel vendi  krahasuar me përqindjen e votave që kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2019, del se PDK ka pasur rënie të elektoratit, shkruan Telegrafi.

Në këto zgjedhje sipas rezultatit të deritashëm PDK ka 17,35% apo 135 mijë e 009 vota, kurse në zgjedhjet e tetorit 2019, kishte arritur të marrë 21,23% apo 178 mijë e 637 vota duke u renditur si partia e tretë.

Ajo çfarë të gjithë ka habitur në këto zgjedhje është rënia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në rezultat, ku në zgjedhjet e mbajtura dje ky subjekt renditet i treti.

Në këto zgjedhje LDK deri tani ka 13,18 % apo 102 mijë e 616 vota. Kurse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ishte renditur e dyta me 24,54% apo 206 mijë e 516 vota.

Rënie në këto zgjedhje pati edhe partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje sipas rezultatit preliminar të KQZ-së ka arritur të marrë 7,42% apo 57 mijë e 774 vota. Në zgjedhjet e tetorit 2019, AAK e cila ishte në koalicion me PSD-në kishte marrë 11,51% apo 96 mijë e 872 vota.

Në anën tjetër Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje nuk e ka kaluar pragun sipas rezultatit të deritanishëm ku ka marrë vetëm 2,59% apo 20 mijë e 189 vota. Në zgjedhjet e vitit 2019 kjo parti e cila ishte në koalicion me AKR-në dhe PD-në kishte marrë 5,02% apo 42 mijë e 083 vota.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 të drejtë vote kishin 1 milion e 763 mijë e 472 qytetarë. /Telegrafi/

Related Articles

Back to top button
Close
Close