
Që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, peizazhi i sigurisë në Evropë ndryshoi rrënjësisht, raporton Radio Evropa e Lirë. Ndjenja e pasigurisë u përhap në të gjithë kontinentin dhe një nga pasojat më të dukshme ishte rikthimi i debatit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Shtetet evropiane po rrisin buxhetet për mbrojtjen, po forcojnë ushtritë dhe po investojnë në modele të reja të mbrojtjes. I njëjti trend po vërehet edhe në vende të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Serbia njoftoi se, nga marsi i vitit të ardhshëm, do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, i cili do të zgjasë 75 ditë.
Kosova synon të zbatojë modelin finlandez të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.
Ndërkaq, Kroacia – anëtarja më e re e Bashkimit Evropian – e riktheu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në mars të vitit 2026.
Dy muaj trajnim i kushtojnë shtetit rreth 20 milionë euro në vit, ndërsa rekrutët marrin 1.100 euro në muaj, përfitojnë stazh pune, si dhe ushqim e transport.
Për ata që refuzojnë shërbimin ushtarak, ekziston shërbimi civil, i cili zgjat dy herë më shumë dhe paguhet më pak.
Bosnje dhe Hercegovina vazhdon të mbështetet në një ushtri profesionale, por po shqyrton edhe krijimin e një force rezerviste.
Çdo model i shërbimit të detyrueshëm ushtarak prek një periudhë të rëndësishme të jetës – të njëzetat. Dhe nuk është një proces i thjeshtë.
Eurobarometri i vitit 2025 tregon se 31 për qind e të rinjve evropianë besojnë se siguria dhe mbrojtja duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa paqja dhe stabiliteti global renditen mes shqetësimeve të tyre më të mëdha.
Në të njëjtën kohë, një anketë e zhvilluar me qytetarët e Bashkimit Evropian tregon mbështetje rekorde për një mbrojtje të përbashkët evropiane.
Madje, 78 për qind e tyre shprehen të shqetësuar për sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.
Pse Evropa po e ndryshon qasjen ndaj mbrojtjes?
Duke prezantuar planin e Bashkimit Evropian për rritjen e gatishmërisë mbrojtëse, komisionari evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha vitin e kaluar se vendet evropiane do të investojnë 6.8 trilionë euro në mbrojtje deri në vitin 2035.
Pas samitit të fundit të NATO-s, të mbajtur në Ankara në qershor, u bë e ditur se 31 vendet anëtare të Aleancës i kanë rritur së bashku shpenzimet për mbrojtjen për 139 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar.
Një vit më parë, NATO-ja u zotua që deri në vitin 2035 t’i rrisë shpenzimet për mbrojtje dhe siguri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Vetëm për vitin e ardhshëm, Gjermania miratoi një buxhet ushtarak prej 105 miliardë eurosh, krahasuar me 82 miliardë euro sa ishte një vit më parë, raportoi agjencia Reuters.
Ekonomia më e madhe e Evropës e hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, por tani, në dritën e zhvillimeve në Ukrainë, po rikthen një model të shërbimit ushtarak vullnetar.
Të gjithë burrat mbi moshën 18-vjeçare do të jenë të detyruar të plotësojnë një pyetësor për shërbimin ushtarak, ndërsa për gratë kjo do të jetë vullnetare.
Ata që shprehin gatishmëri për t’iu bashkuar ushtrisë, do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi, i cili pritet të nisë në mesin e vitit 2027.
Po Ballkani Perëndimor?
Pas Kroacisë, vendi i radhës në Ballkanin Perëndimor që pritet ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak është Serbia.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi është planifikuar të nisë në mars të vitit 2027.
Deri më tani, për përgatitje janë ndarë rreth 130 milionë euro, kryesisht për rindërtimin e kazermave të braktisura.
Plani parasheh që burrat e moshës 18 deri në 30 vjeç të kryejnë 75 ditë shërbim ushtarak, por ai duhet të miratohet nga Kuvendi i Serbisë.
Sipas Predrag Petroviqit, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, autoritetet serbe e arsyetojnë rikthimin e shërbimit ushtarak me përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajon dhe në Evropë.
“Megjithatë, ky argument nuk qëndron, sepse rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është paralajmëruar prej gati dhjetë vjetësh”, thotë Petroviq.
“Kjo nuk është një ide e re që lindi si pasojë e luftës në Ukrainë apo zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Serbia, thjesht, është përballur me një largim masiv të ushtarakëve të të gjitha profileve”, shton ai.
Kur njoftoi se Serbia do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kjo “do t’i forcojë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse”.
Ushtria e Serbisë – një vend që në fund të vitit 2007 shpalli neutralitetin ushtarak përmes një rezolute parlamentare për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues – u bë zyrtarisht profesionale në fillim të vitit 2011.
Kjo ndodhi pasi hyri në fuqi vendimi i Kuvendit për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Që atëherë, shërbimi i detyrueshëm me armë u zëvendësua me shërbimin vullnetar, ndërsa radhët e ushtrisë filluan të plotësoheshin me ushtarë dhe oficerë profesionistë.
Po vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?
Sa u përket vendeve të tjera të rajonit, modeli aktual i shërbimit ushtarak mbetet, për momentin, i pandryshuar.
Mali i Zi e shfuqizoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2006.
Që nga viti 2019, ai ofron një shërbim vullnetar tremujor, i cili u hap rrugën kandidatëve për t’iu bashkuar ushtrisë profesionale prej rreth 2.400 pjesëtarësh.
Si anëtar i NATO-s që nga viti 2017, Mali i Zi ndau vitin e kaluar një rekord prej 2.05% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen.
Megjithëse shërbimi i detyrueshëm ushtarak është shfuqizuar, ministri i Mbrojtjes i këtij vendi, Dragan Krapoviq, dhe ministria që ai drejton nuk e përjashtojnë mundësinë e rikthimit të tij.
Por, theksojnë se një vendim i tillë do të kërkonte një analizë të detajuar, një konsensus të gjerë politik dhe, mbi të gjitha, mbështetjen e opinionit publik.
Maqedonia e Veriut e shfuqizoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2006 dhe kaloi në një ushtri profesionale.
Sot, ushtria e saj numëron rreth 7.000 pjesëtarë, përfshirë forcat aktive dhe rezerviste.
Aktualisht, nuk ka plane zyrtare për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Si anëtare e NATO-s që nga viti 2020, Maqedonia e Veriut vazhdon t’i përmbahet modelit të ushtrisë profesionale, ndërsa qytetarëve u ofrohet mundësia e një trajnimi ushtarak vullnetar tremujor.
Edhe Sllovenia, anëtare e NATO-s që nga viti 2004, e shfuqizoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2003 dhe kaloi në një ushtri profesionale.
Në mbarë Evropën janë të dislokuar më shumë se dy milionë ushtarë aktivë të vendeve anëtare të NATO-s.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Aleancës i janë bashkuar edhe Finlanda dhe Suedia.



