
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje që përgjegjësit e sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës më 29 nëntor, të sillen para drejtësisë.
“Sulmet në tubacionin e ujit në veri të Kosovës, më 29 nëntor, nënvizojnë brishtësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe dua të falënderoj komandantin e KFOR-it për zhvendosjen e shpejt të trupave për ta mbrojtur infrastrukturën kritike. Ne mbesim të përkushtuar për të siguruar që KFOR-i ta plotësojë mandatin e tij të OKB-së. Është esenciale që të vërtetohen faktet dhe fajtorët të mbahen përgjegjës”, tha Rutte gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, në Bruksel.


