
Ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev, në një letër zyrtare drejtuar kolegëve të tij, ministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), shpreh shqetësim për, siç thotë ai në të, refuzimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut për të zbatuar Marrëveshjen me Bullgarinë dhe për të përmbushur detyrimet e saj, të miratuara në nivel të Unionit, transmeton Portalb.mk.
Letra e Georgievit, e siguruar nga “360 Gradë“, mban datën 1 shtator dhe, përveç ministrave të jashtëm të shteteve anëtare, i drejtohet gjithashtu Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Kaja Kallas dhe Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Në letër, Ministri i Jashtëm bullgar përcjell qëndrimin e Sofjes se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në vend që t’i përmbahet dhe të zbatojë paketën e hapave të dakordësuar, e cila do të garantonte anëtarësimin e saj në BE, po ndjek një politikë konfrontimi, akuzash dhe pakënaqësie të vazhdueshme.
“Me shqetësim në rritje po ju dërgoj këtë letër për një temë që po shkakton frustrim në rritje si për vendin tim ashtu edhe për Bashkimin Evropian”, thotë ministri i jashtëm bullgar në fillim të letrës.
Menjëherë më pas, ai kujton se në korrik 2022, të dy vendet ranë dakord për hapa specifikë, të paketuar në një marrëveshje paketë, që do të garantonin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, e cila, siç pohon Georgiev, u shkaktua nga politika e Shkupit për moszbatimin e vazhdueshëm të angazhimeve të ndërmarra.
Që atëherë, ministri i jashtëm bullgar thotë më tej në letër, qeveritë e njëpasnjëshme në Sofje janë marrë vazhdimisht dhe në mënyrë të drejtë me këtë çështje, duke konfirmuar konsensusin evropian, duke zbatuar pjesën e tyre të detyrimeve nga marrëveshja.
Në këtë drejtim, Georgiev shton se Bullgaria ka deklaruar qartë se nuk ka kushte të mëtejshme ndaj fqinjit të saj, përveç asaj që është rënë dakord tashmë.
“Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se çështja është bërë pjesë e besimit të qytetarëve tanë në vetë procesin e BE-së – nëse kemi rënë dakord për diçka si një Union, nëse ndajmë një sërë vlerash dhe qëllimesh të përbashkëta, atëherë rezultati i marrëveshjeve tona do të jetë i parashikueshëm dhe i drejtë”, thotë ai në letër.
Megjithatë, siç pohon ai më tej, pala tjetër, pra Qeveria e Maqedonisë së Veriut, refuzon të zbatojë marrëveshjet specifike.
“Qeveria e vendit kandidat e ka konsideruar të përshtatshme të ndjekë një politikë konfrontimi, akuzash dhe pakënaqësie të vazhdueshme, kryesisht kundër vendit tim, por gjithnjë e më shumë ndaj vetë Unionit. Në vend që të ndërtojë ura, ajo po përpiqet në mënyrë aktive të na provokojë në veprime që më pas mund t’i përdorë si shembuj për ankesa të mëtejshme, duke shkaktuar një kaskadë problemesh dhe bllokimesh të vetëkrijuara”, thotë Georgiev.
Në këtë drejtim, ai deklaron se sipas Bullgarisë, problemi me status quo-në në negociatat e vendit me Unionin është se Maqedonia e Veriut po “pret” në vend që të “punojë”.
“Bullgaria gjithmonë e ka hedhur poshtë argumentin se Republika e Maqedonisë së Veriut ka pritur shumë gjatë – ky është pikërisht problemi, Shkupi ka “pritur” në vend që të “punojë”, thotë Georgiev.
Sipas kreut të diplomacisë bullgare, muajt e fundit kanë qenë veçanërisht sfidues. Në këtë kontekst, Georgiev thotë se në mediat e vendit po zhvillohet një fushatë shpifjesh, e cila ka ndikuar menjëherë në diskursin publik në Bullgari.
Duke e vlerësuar atë si të fundit në atë që ai e sheh si një seri provokimesh të panevojshme, ai tregon iniciativën e paraqitur së fundmi në Gjykatën Kushtetuese të vendit për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Protokollit të takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë nga 17 korriku 2022 në Sofje.
Iniciativa e paraqitur nga ish-deputetja dhe ish-presidentja e Ripërtëritjes Demokratike për Maqedoninë (DOM), Liljana Popovska, vlerësohet nga ministri i jashtëm bullgar si një sfidë absurde, e koordinuar me udhëheqjen e partisë në pushtet VMRO-DPMNE.
Përndryshe, informacioni në lidhje me letrën është publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme bullgare.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut vazhdimisht ka përsëritur se vendi nuk do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për sa kohë që nuk ka garanci se Bullgaria nuk do të vendosë kushte të tjera. Kjo e fundit ka përsëritur se kushtet e vëna në marrëveshje janë të fundit dhe se të njëjtat duhet të respektohen.
Maqedonia e Veriut po pret lëvizje nga Bullgaria mbi propozimin për të hartuar një rezolutë të përbashkët që do të konfirmonte veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Parlamentin Evropian.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.



