
Industria botuese ukrainase është përballur me dëme të mëdha nga sulmet ruse, të cilat kanë goditur shtypshkronja, depo dhe shtëpi botuese në zona të ndryshme të vendit, duke shkatërruar miliona libra.
Në periferi të Kievit, Viktoria Haidai vëzhgon pasojat e sulmit mbi një shtypshkronjë që duhej të ishte në funksion për të përfunduar materialet shkollore të vitit të ri akademik.
Një raketë ruse e goditi fabrikën gjatë natës, në një periudhë kur prodhimi ishte shtuar për të përgatitur rreth 1.3 milionë libra. Kjo sasi përbënte afërsisht 10% të teksteve shkollore të nevojshme në Ukrainë.
Në mes të rrënojave u gjet edhe një faqe e karbonizuar nga një tekst shkollor i gjuhës angleze. Në të lexohej: “Emri im është William. Jam nga Mbretëria e Bashkuar. Gjyshja ime jeton në Nottingham. Është një qytet i bukur.”
Raportimet lokale bëjnë të ditur se sulmet e fundit ndaj shtypshkronjave dhe shtëpive botuese kanë shkatërruar rreth 12 milionë libra, si dhe objekte të rëndësishme për historinë dhe kulturën e Ukrainës. Sipas mediave lokale, gjatë këtij viti Rusia ka asgjësuar rreth një të tretën e librave të shtypur në vend.
Në objektin e goditur në Kiev, dëmet janë thuajse totale. Librat që nuk u përpinë nga flakët u dëmtuan nga uji i përdorur gjatë shuarjes së zjarrit ose nga reshjet që depërtuan pasi çatia u shemb.
“Unë besoj se kjo është e qëllimshme nga ana e Federatës Ruse”, tha Haidai, drejtore komerciale e kompanisë botuese Konvi.
Ajo shpjegoi se vetëm gjatë dy muajve të fundit, disa prej shtëpive më të mëdha botuese ukrainase kanë humbur depot logjistike ku mbanin rezerva të mëdha librash.
“Rusët po shkatërrojnë gjithashtu shtypshkronjat, në një përpjekje për ta fshirë Ukrainën si komb. Por, sinqerisht, ata nuk do të kenë sukses”, shtoi Haidai.
Sipas autoriteteve ukrainase, në javët e fundit janë goditur më shumë se 35 ndërtesa që i përkasin industrisë botuese.
Objektivi i sulmeve nuk kanë qenë vetëm librat e rinj dhe impiantet industriale. Në Pochaina të Kievit u godit edhe tregu i librave të përdorur, ku u shkatërruan qindra tezga dhe shumë libra me vlerë.
Ndërsa zjarrfikësit ende nuk e kishin përfunduar punën, blogerja 28-vjeçare e librave, Liliya Velyka, kërkonte mes mbetjeve të tregut për të gjetur ndonjë libër që mund të shpëtohej.
Në duar ajo mbante një kopje të lagur të një romani fantastiko-shkencor.
“Librat po na shpëtojnë dhe humbja e tyre është si humbja e zemrave tona”, u shpreh Velyka.
Pasojat e luftës janë shtrirë edhe në muzeume, galeri arti, studio filmike, biblioteka dhe teatro, përtej dëmeve të drejtpërdrejta ndaj industrisë së librit.
Edhe kupolat e arta të Katedrales së Fjetjes së Shenjtë u dëmtuan në kompleksin historik të Lavrës Kiev-Pechersk, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore ukrainase.
Pas një sulmi me dron, një pjesë e madhe e çatisë u përfshi nga zjarri, ndërsa artefaktet fetare u dërguan në një vend të sigurt. Përllogaritjet tregojnë se riparimi mund të kushtojë rreth 11.2 milionë dollarë dhe të zgjasë deri në dy vjet.
Lavra Kiev-Pechersk strehon gjithashtu Muzeun e Librit dhe Shtypshkronjës së Ukrainës. UNESCO e përfshiu kompleksin në listën e trashëgimisë botërore në vitin 1990, ndërsa në shtator 2023 ai u vendos në listën e trashëgimisë botërore në rrezik.
Gjatë aktiviteteve të zhvilluara për 975-vjetorin e themelimit të manastirit, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, deklaroi se ishte “thellësisht i trishtuar” nga shkatërrimet.
“UNESCO dënon me forcë të gjitha sulmet ndaj pronës kulturore të mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar”, tha ai në prani të disa personaliteteve, mes tyre edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ministrja ukrainase e Kulturës, Tetyana Berezhna, theksoi se dëmet ndaj kulturës nuk mund të ndahen nga pasojat ushtarake të luftës.
“Kjo është një luftë ekzistenciale. Rusia dëshiron të na shkatërrojë si komb dhe të na fshijë si komb, sikur ukrainasit të mos ekzistojnë dhe të mos kenë ekzistuar kurrë. Kjo është arsyeja pse Rusia synon trashëgiminë tonë kulturore dhe simbolet e pranisë sonë këtu”, tha Berezhna.
Sipas ministres, Rusia ka sulmuar më shumë se 1,900 objekte të trashëgimisë kulturore ukrainase dhe mbi 2,000 institucione kulturore.
Si një mënyrë për të ruajtur veprat e artit dhe letërsinë, Ukraina po i drejtohet edhe digjitalizimit. Synimi është që brezat e rinj të vazhdojnë të kenë qasje në këto materiale, edhe kur versionet fizike janë shkatërruar.
Ekspertët paralajmërojnë se e gjithë industria botuese e Ukrainës ndodhet nën presion të madh dhe se mbështetja ndërkombëtare është e domosdoshme për të siguruar vazhdimësinë e saj.
Duke folur në shtypshkronjën e shkatërruar në Kiev, Haidai nënvizoi se mbrojtja e industrisë së librit është thelbësore.
“Fjala është gjithçka. Është zhvillimi ynë, kultura jonë dhe trashëgimia jonë historike, e cila përcillet nga një brez te tjetri”, tha ajo.



