BotaLajmeTopLajm

SHBA vendos tarifa 50 për qind ndaj mallrave kanadeze me vlerë 20 miliardë dollarë pas dështimit të negociatave

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa prej 50 për qind ndaj rreth 20 miliardë dollarë mallra kanadeze, pasi negociatorët tregtarë të dy vendeve nuk arritën të finalizojnë një marrëveshje tregtare, pavarësisht tri ditë negociatash në Uashington.

Me skadimin e afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump në orën 00:01 sipas Kohës Lindore (04:01 GMT) të së shtunës, zyrtarët amerikanë dhe kanadezë konfirmuan se nuk ishte arritur marrëveshje.

Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se vendi i tij do t’u përgjigjet tarifave të reja “dollar për dollar”.

“Gjatë javëve të fundit, kemi bërë përparim të rëndësishëm drejt përmirësimit të pozitës së Kanadasë, me synimin për të pasur marrëveshjen më të mirë në botë me SHBA-në”, tha Carney në një deklaratë. “Megjithatë, ky përparim nuk ka qenë i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët.”

Carney shpjegoi menjëherë masat që qeveria e tij do të ndërmarrë për të mbrojtur qytetarët nga ndikimi i luftës tregtare, duke thënë se në ditët në vijim do të prezantohen masa të reja për mbështetjen e punëtorëve dhe bizneseve.

Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, ia hodhi fajin Kanadasë, duke e cilësuar situatën si “një mundësi të humbur për Kanadanë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara”.

“Kanadaja refuzoi të finalizonte marrëveshjen tregtare sipas kushteve të dakordësuara në fillim të kësaj jave”, tha Greer. Sipas tij, pavarësisht ofertës së SHBA-së që Kanadaja të merrte trajtimin më të favorshëm mes eksportuesve të mëdhenj në tregun amerikan, “kërkesat e reja dhe tërheqja nga disa angazhime të tjera nga Kanadaja prishën ekuilibrin e kujdesshëm të arritur gjatë ditëve të fundit”.

Tarifat do të prekin rreth 5 për qind të eksporteve kanadeze drejt SHBA-së, përfshirë pajisjet elektronike, makineritë industriale dhe produktet e qumështit. Këto u shtohen tarifave ekzistuese amerikane ndaj çelikut, lëndës së drurit dhe automjeteve kanadeze.

Trump vendosi tarifa ndaj importeve kryesore nga Kanadaja në fillim të mandatit të tij të dytë vitin e kaluar, duke bërë që Otava të përgjigjej me një seri masash kundërpërgjigjëse.

Që atëherë, dy vendet kanë vijuar përplasjet tregtare, ndërsa Trump ka kërcënuar periodikisht me vendosjen e tarifave të reja.

Administrata Trump i kishte paralajmëruar tarifat në korrik, pasi presidenti amerikan akuzoi Kanadanë për “trajtim diskriminues ndaj produkteve amerikane”.

Megjithatë, Trump u tha gazetarëve të premten se priste që një marrëveshje me Kanadanë të mund të arrihej – gjë që, të paktën për momentin, nuk rezultoi e vërtetë.

Tarifat e reja mund të godasin shumë biznese kanadeze që eksportojnë në SHBA produktet e prekura.

“Tarifat prej 50 për qind do t’i nxirrnin praktikisht qindra produkte kanadeze jashtë tregut amerikan”, tha Julian Karaguesian, pedagog dhe ekspert i tregtisë në Universitetin McGill në Montreal, për Al Jazeera në fillim të kësaj jave.

Related Articles

Back to top button
Close
Close