SHBA kërcënon TikTok me ndalim në mbarë vendin

SHBA, sipas mediave mendon eventualisht ndalimin e aplikacionit kinez mjaft të popullarizuar TikTok. Gjithnjë e më shumë vende po e ndalojnë përdorimin e këtij kanali në celularët zyrtarë të institucioneve publike.

Tiktok dhe Pekini ndihen të sulmuar me pa të drejtë
Drejtori ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew, javën e ardhëshme do të paraqitet në Kongresin e SHBA-së. Në një njoftim në media kjo sipërmarrje e merr në konsideratë një shkëputje nga Bytedance si një mundësi e fundit për të shmangur rezervat e sigurisë që ka SHBA.
Bytedance konfirmoi, se 60 përqind e aksioneve janë në duar të investitorëve global, 20 përqind në posedim të punonjësve dhe 20 përqind në duart e themeluesit. TikTok theksoi, se nuk e konsideron veten si bijë të një sipërmarrjeje kineze, sepse aksionet e Bytedance janë me shumicë në duar të investitorëve perëndimorë dhe selia zyrtare e firmës ndodhet në ishujt Cayman.
Sipërmarrja dhe koncerni amë Bytedance përballen me kritika në mbarë botën për shkak të afërsisë me qeverinë e Kinës. Autoritetet e sigurisë druajnë, se Republika Popullore e Kinës shfrytëzon të dhënat personale të përdoruesve ose abuzon me të për të manipuluar opinionin publik. TikTok dhe qeveria kineze vazhdimisht i kanë hedhur poshtë këti kritika.
Në SHBA ka shqetësime si tek republikanët ashtu edhe tek demokratët e presidentit Joe Biden, se autoritetet kineze dhe shërbimet sekrete përmes TikTok mbledhin informacion për amerikanët ose mund t‘i influencojnë ata. Megjithatë ndalimi në SHBA është i lidhur me pengesa të mëdha ligjore. Përpjekja e ish-presidentit Donald Trump, gjatë mandatit të tij për ta ndaluar TikTok dështoi në gjykatat e SHBA-së.
Britania e madhe e ka ndaluar TikTok në celularët zyrtarë
Tani nëpunësve britanikë të shtetit u duhet ta shuajnë nga celularët e tyre të punës aplikacionin TikTok. Ndalimi i këtij aplikacioni ka hyrë në fuqi me efekt të menjëhershëm, deklaroi ministri Oliver Dowden (16.03.2023). Me këtë vendim qeveria britanike iu përgjigj rekomandimit të Autoritetit kombëtar të Sigurisë Kibernetike duke u bazuar në rezervat lidhur me mbrojtjen e të dhënave.Disa shtete të tjerasi SHBA, Gjermania, Belgjika dhe Kanadaja kanë shprehur ndalime të ngjashme ndërkohë. Edhe të punësuarit në Komisionin e BE-së nuk lejohen ta përdorin këtë platformë në telefonët celularë zyrtarë.
TikTok me mbi një miliard përdorues në mbarë botën është mjaft i preferuar sidomos nga brezi i ri. Ata mund të postojnë video të shkurtra, një algoritëm propozon video për t’u shikuar. Përdorimi i shërbimit të videove të shkurtra është shtuar ndjeshëm në SHBA edhe në radhët e përdoruesve më të moshuar të internetit. Mbi 100 milion vetë e përdorin në SHBA këtë platformë. TikTok ndërkohë u aka kaluar rrjeteve të tjera si Youtube, Twitter, Instagram dhe Facebook sa i përket kohës që konsumojnë në të përdoruesit.