SHBA-ja sanksionon ish-zyrtarë të Malit të Zi

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ka futur në listën e sanksioneve ish-zyrtarë nga Mali i Zi për shkak se ata dyshohet se janë përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë ndihmuar në operacione të trafikimit të drogës.
Sipas njoftimit zyrtarët e sanksionuar janë ish-kryetari i Budvës dhe deputeti Millo Bozhoviq, dhe ish-kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica.
Atyre iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Uashingtonit, Bozhoviq ka abuzuar me pozitat e tij publike për të mbështetur krimin e organizuar dhe operacionet të trafikimit ndërkombëtar të drogës.
“Ky vendim riafirmon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar trafikimin e drogës dhe organizatat kriminale transnacionale si dhe korrupsionin që kërcënon interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor e përtej”, u tha në njoftim. (REL)



