
Koordinatori i këshilltarëve të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Qytetin e Shkupit, Abdul-Selam Selami, ka reaguar ndaj vendosjes së një tabele vetëm në një gjuhë nga Kryetari i Qytetit të Shkupit, duke kërkuar korrigjimin e menjëhershëm të saj në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Në reagimin e tij, Selami shpreh shqetësimin për, siç thekson, mosrespektimin e dygjuhësisë dhe vlerëson se ky veprim bie ndesh me detyrimet ligjore dhe me karakterin shumetnik të kryeqytetit.
Ai kërkon që tabela të zëvendësohet sa më parë, duke theksuar se Shkupit duhet t’i rikthehet fryma e multikulturalizmit, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, vlera mbi të cilat është ndërtuar qyteti.
Selami njofton gjithashtu se në seancën e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltarët e AKI-së do të kërkojnë llogari nga kryetari për këtë veprim dhe sqarime për arsyet e moszbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas tij, AKI do të kërkojë edhe masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme dhe për të garantuar respektimin e ligjit nga të gjitha institucionet e Qytetit të Shkupit.
Në fund të reagimit theksohet se respektimi i dygjuhësisë nuk është çështje zgjedhjeje politike, por obligim ligjor dhe një tregues i respektit ndaj të gjithë qytetarëve të Shkupit, pa dallim të përkatësisë etnike apo gjuhësore.



