
Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Ukraina ka marrë ndihmë të konsiderueshme financiare dhe ushtarake ndërkombëtare, ku donatorët më të mëdhenj janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane.
Sipas një analize të Skaj njuz, SHBA ka dhënë gjithsej 114 miliardë euro në lloje të ndryshme mbështetjeje, ndërsa vendet evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe, kanë dhënë 132 miliardë euro.
Nëse merret parasysh vetëm ndihma ushtarake, SHBA-ja kryeson me 64 miliardë euro, ndërsa vendet evropiane kanë dhënë kolektivisht 62 miliardë euro.
Megjithatë, krahasuar me produktin e brendshëm bruto (PBB) të vendeve donatore, përqindje më të madhe të ekonomive të tyre për të mbështetur Ukrainën kanë ndarë Danimarka, Estonia dhe shtetet baltike – rreth 2 për qind të PBB-së. Nga ana tjetër, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë ndarë rreth 0,5 për qind të PBB-së së tyre.
Çështja e kthimit të ndihmës është aktualizuar përsëri pasi presidenti amerikan Donald Tramp tha së fundmi se pret që Ukraina të “kthejë” 500 miliardë dollarë nëpërmjet të ardhurave nga mineralet e rralla.
Megjithëse Ukraina posedon gërmime të caktuara të elementeve të rralla, shfrytëzimi i tyre është i kufizuar dhe i kushtueshëm. Për shumë vite, këto burime minerale mbetën të pazhvilluara për shkak të sfidave teknologjike dhe ekonomike. Madje edhe me shfrytëzim të plotë, ekspertët besojnë se Ukraina nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë qindra miliarda dollarë të ardhura, siç thekson Tramp, thekson Skaj njuz.
Përveç mineraleve të rralla, Ukraina ka rezerva të konsiderueshme qymyri në Donbas, mineral hekuri dhe lëndë të tjera të para, por një pjesë e madhe e këtyre burimeve ndodhen në territore nën pushtimin rus.
Se si do të zhvillohet ky diskutim në të ardhmen varet nga rrjedha e negociatave midis Kievit dhe Uashingtonit, por për momentin nuk ka tregues realë ekonomikë që Ukraina mund t’i kthejë mjetet që ka marrë ekskluzivisht përmes shfrytëzimit të xeheve dhe mineraleve të rralla.



