
Ish-drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, ka reaguar publikisht ndaj akuzave të bëra nga koalicioni VLEN, i cili në një konferencë për media pretendoi se ai ka ushtruar ndikim në një procedurë tenderuese që lidhet me furnizimin e gardheve mbrojtëse.
Në një demant publik, Rustemi i cilëson këto pretendime si “tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe pa asnjë mbështetje faktike apo dokumentare”, duke theksuar se gjatë periudhës kur ka drejtuar Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore nuk është zhvilluar asnjë procedurë tenderuese për furnizim me gardhe mbrojtëse.
“Pretendimet e paraqitura janë tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo dokument zyrtar. E vërteta është se gjatë periudhës sa kam ushtruar funksionin e drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore nuk është zhvilluar asnjë procedurë tenderuese për furnizim me gardhe mbrojtëse nga kjo ndërmarrje”, thuhet në reagimin e Rustemit.
Ai thekson se, për pasojë, nuk ka ekzistuar asnjë procedurë ku mund të ishte favorizuar apo diskriminuar ndonjë kompani.
“Për rrjedhojë, nuk ka ekzistuar asnjë tender në kuadër të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore ku mund të jetë favorizuar, përjashtuar apo diskriminuar ndonjë kompani. Kur nuk ka pasur procedurë tenderuese nën kompetencën e institucionit që kam drejtuar, nuk mund të ketë as ndikim, as presion dhe as përgjegjësi nga ana ime”, thekson ai.
Rustemi shpreh shqetësim të veçantë për, siç thotë, përpjekjet për të krijuar perceptimin se veprimet e tij kanë rrezikuar sigurinë e qytetarëve.
“Veçanërisht shqetësues është fakti që përmes këtyre pretendimeve tentohet të krijohet përshtypja se me veprimet e mia është rrezikuar siguria e qytetarëve. Këtë e hedh poshtë kategorikisht. Gjatë gjithë angazhimit tim në krye të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, siguria e qytetarëve ka qenë prioritet absolut në çdo vendim dhe veprim institucional. Për këtë arsye, konsideroj të papranueshme që pa asnjë fakt, provë apo dokument të tentohet të manipulohet opinioni publik me pretendime që cenojnë jo vetëm integritetin tim personal dhe profesional, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet publike”, deklaron ish-drejtori.
Në reagimin e tij, Rustemi akuzon VLEN-in për përdorim politik të akuzave dhe përhapje të dezinformatave me qëllim diskreditimin e tij.
“Shpreh keqardhje që për interesa të ngushta politike po hidhen në opinion akuza të rënda pa asnjë bazë faktike, duke tentuar të njolloset emri dhe integriteti im përmes insinuatave dhe dezinformatave. Edhe më shqetësues është fakti që çështje që lidhen me sigurinë e qytetarëve po përdoren për sulme politike dhe për diskreditim personal”, thuhet më tej në demant.
Në fund, Rustemi u bën thirrje publike përfaqësuesve të VLEN-it që të paraqesin prova për akuzat e tyre ose të kërkojnë falje publike.
“I ftoj publikisht përfaqësuesit e VLEN-it që, nëse posedojnë qoftë edhe një provë të vetme që mbështet pretendimet e tyre, ta paraqesin para institucioneve kompetente dhe para opinionit publik. Në të kundërtën, pres që të tregojnë përgjegjësi politike dhe morale, të tërhiqen nga këto pretendime dhe t’u kërkojnë falje publike qytetarëve dhe mua personalisht për përhapjen e informacioneve të pasakta”, thekson ai.
Sipas Rustemit, debati politik duhet të bazohet në fakte dhe jo në akuza të pabazuara.
“Qytetarët meritojnë fakte, përgjegjësi dhe të vërtetën, jo akuza të sajuara për konsum politik”, përfundon reagimi i ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.



