
Prokurorja Vilma Ruskovska sot ka sqaruar se ankesa kundër personit të parë të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, është dërguar të martën e kaluar, vetëm një ditë pasi prokurorët filluan bastisjen në institucionin shtetëror, shkruan “Deutsche Welle”.
“Duke qenë se peticioni është dorëzuar të martën e kaluar te prokurori Joveski, deklaratën e sotme të tij tani në opinion e konsideroj si presion të drejtpërdrejtë mbi punën e prokurorisë dhe gjykatës”, thotë Ruskovska.
Ruskovska thotë se është habitur nga reagimi i Muaremit.
“Ne thjesht po kontrollojmë pretendimet në një raport dhe nuk ka asgjë personale në lidhje me të. Nëse gjithçka është bërë sipas ligjit, atëherë nuk e kuptoj panikun dhe presionin që po bëhet, po e përsëris, mbi prokurorinë dhe gjykatën”, thotë Ruskovska.
Muaremi, lidhur me bastisjen e Prokurorisë për Krim të Organizuar që e ka filluar më 18 korrik, sot deklaroi se ka të meta të theksuara në urdhrin e bastisjes dhe mënyrën e veprimit gjatë zbatimit të saj.



