LajmeRajon

“RRJEDHJA” E DOSJEVE TË GJYKATËS SPECIALE – PA HETIM TË KONFIRMUAR NË KOSOVË

Ende nuk dihet se kush është duke dërguar dokumente në zyret qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të cilat po pretendohet se janë konfidenciale dhe të Dhomave Specializuara në Hagë.

Përmbajtja e këtyre dokumentave të pretenduara është e panjohur dhe nuk dihet ende nëse ato janë origjinale.

Institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë nuk konfirmojnë hetime për këtë rast. Policia e Kosovës tha se pyetja për këtë çështje duhet të adresohet ‘tek institucionet përkatëse’, e në Prokurorinë e Shtetit nuk përgjigjen. Koment për këtë çështje nuk dha as Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së konfirmoi se në prani të avokatit Tomë Gashi, u ka dorëzuar hetuesve të Gjykatës Speciale ‘dosjet që kanë mbetur’ në zyret e kësaj organizate.

Avokati i OVL të UÇK-së, Tomë Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e vendit nuk kanë arsye të hetojnë sjelljen e këtyre dosjeve të pretenduara, pasi ‘rrjedhja e tyre ka ndodhur në Hagë’. Ai tha se në cilësinë e avokatit, ka përfaqësuar organizatën në dorëzimin e këtyre dokumenteve.

“Ata me dokumentacion, identifikim të Gjykatës Speciale, i kanë marrë një pjesë të dokumenteve që kanë mbetur, për shkak se ditën e djeshme kur janë sjell këto dokumente, një pjesë e tyre ka mbetur aty dhe ka mundur të përdoret nga kushdo gjatë konferencës për media”, tha Gashi.

Të mërkurën, drejtues të OVL UÇK-së kishin thënë se nuk do të dorëzojnë dokumentet te hetuesit e Hagës pa praninë e Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës. Por, ata ndryshuan qëndrim pas këshillës së avokatit, duke u bazuar në faktin se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar e përcakton si vepër penale, publikimin apo posedimin e dokumenteve të Gjykatës. Dënimi në këto raste është deri në dhjetë vjet burg.

Njohës të fushës së drejtësisë, ditë më parë për REL kanë shprehur shqetësimin e tyre se rasti me këto dosje të pretenduara, mund të frikësojnë dëshmitarët potencialë në proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Avokati Tomë Gashi beson se interesi i këtyre veprimeve është që të diskreditohet puna e Gjykatës Speciale. Sipas tij, dokumentet janë sjellë tek OVL UÇK me besimin se kjo organizatë do t’i publikojë ato.

Ndërkohë, mediat në Kosovë raportuan edhe për dorëheqjen e prokurorit Këai Hong Ip pas ‘rrjedhjes së dosjeve’, por zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennet, i tha Radios Evropa e Lirë se prokurori Hong Ip ishte dorëhequr më herët dhe se tani punon në një institucion tjetër.

Që nga krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, ekspertët e kanë parë si sfidë të vështirë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Një nga arsyet kryesore pse Gjykata Speciale e Kosovës u vendos në Hagë ishte frika nga kërcënimi i dëshmitarëve potencialë “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit, në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare, mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë. /Insajderi.com

Related Articles

Back to top button
Close
Close