
Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo Nazario, ka ndarë parashikimin e tij për kombëtaret favorite që synojnë të triumfojnë në Kupën e Botës 2026, duke veçuar Spanjën dhe Francën si skuadrat me më shumë gjasa për të ngritur trofeun më prestigjioz të futbollit botëror.
Dy herë kampioni i botës me Brazilin, i njohur në mbarë botën me nofkën “Fenomeni”, bëri vlerësimin e tij gjatë ceremonisë hapëse të Botërorit, e cila u mbajt në stadiumin legjendar Estadio Azteca në Meksikë.
Duke folur për mediat, braziliani nuk hezitoi të tregojë se cilat kombëtare i konsideron më të fortat në garën për titullin e kampionit të botës.
“Nëse ka dy ekipe që i shoh si favoritë, ato janë Spanja dhe Franca. Ato janë mbi ekipet e tjera, megjithëse ka kombëtare për të cilat duhet të jesh gjithmonë i kujdesshëm”, deklaroi Ronaldo.
Komentet e ish-sulmuesit brazilian erdhën në të njëjtën ditë kur FIFA publikoi renditjen më të re botërore të kombëtareve, një klasifikim që ka rëndësi të veçantë gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.
Sipas renditjes së fundit, Argjentina vazhdon të mbajë vendin e parë, duke konfirmuar statusin e saj si kampione në fuqi dhe një prej skuadrave më të forta në arenën ndërkombëtare.
Në pozitën e dytë renditet Spanja ndërsa vendi i tretë i takon Franca që vazhdon të konsiderohet një nga pretendentet kryesore për trofeun e madh.
Pas tre vendeve të para në renditje vijnë Anglia, Portugalia dhe Brazili, të cilat gjithashtu shihen si skuadra me potencial për të shkuar larg në turne.
Deklarata e “Fenomenit” pritet të nxisë debat mes tifozëve dhe ekspertëve të futbollit, veçanërisht në një turne ku disa prej kombëtareve më të forta në botë synojnë të shkruajnë histori dhe të ngjiten në majën e futbollit botëror.



