
Banka më e madhe e Singaporit njoftoi shkurtimin e 4,000 vendeve të punës gjatë tre viteve të ardhshme pasi inteligjenca artificiale është duke u përdorur për më shumë punë të kryera aktualisht nga njerëzit.
“Reduktimi i fuqisë punëtore do të vijë nga një tkurrje e natyrshme pasi pozicionet me kontrata të përkohshme, gjatë viteve në vijim, do të zhduken”, pohoi për BBC-në një zëdhënës i bankës DBS, i cili sqaroi nga ana tjetër se stafi i përhershëm nuk pritet të preket nga shkurtimet.
Shefi ekzekutiv në largim i bankës në fjalë, Piyush Gupta pohoi gjithashtu se pret që të krijohen rreth 1,000 vende të reja pune të lidhura me AI. Kjo e bën DBS një nga bankat e para të mëdha që ofron detaje se si do të ndikojë Inteligjenca Artificiale në operacionet e saj.
DBS aktualisht ka ndërmjet 8,000 dhe 9,000 punëtorë me kontrata të përkohshme. Banka punëson gjithsej rreth 41,000 njerëz. Sipas Guptës, DBS e ka filluar prej më shumë se një dekade punën me AI.
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, i tha BBC-së vitin e kaluar se AI nuk do të jetë një “shkatërrues masiv i vendeve të punës” dhe se njerëzit do të mësojnë të punojnë me teknologji të reja.



