LajmeMaqedoniTopLajm

RMV: ESHS po zbrazet nga shqiptarët! Përfaqësimi i drejtë etnik në vendnumëro

Përqindja e punonjësve shqiptarë vazhdon të jetë e vogël, ndërsa ngjitja e shkallëve të karrierës, kualifikimet, avancimet në detyrë kanë ngecur në vend prej shumë vitesh, madje po shkojnë drejt regresit. ”Të izoluar, të nënçmuar dhe pa perspektivë”, kështu e përshkruajnë situatën disa punonjës shqiptarë. Kjo është arsyeja që largimi nga ky institucion konsiderohet si një nga veprimet më të domosdoshme

Konkurset e fundit të punësimeve dhe avancimeve që po zhvillohen në Entin Shtetëror të Statistikave kanë shumë pak gjasa të ndryshojnë pasqyrën e përfaqësimit të drejtë etnik brenda këtij institucioni. Përqindja e punonjësve shqiptarë vazhdon të jetë e vogël, ndërsa ngjitja e shkallëve të karrierës, kualifikimet, avancimet në detyrë kanë ngecur në vend prej shumë vitesh, madje po shkojnë drejt regresit. Kjo është arsyeja që largimi nga ky institucion konsiderohet si një nga veprimet më të zgjuara. Një punonjës është larguar këto ditë, të tjerë janë në pritje të transferimit në ndonjë institucion tjetër.

“Jemi të izoluar, të anashkaluar. Pavarësisht premtimeve që na bëhen asgjë nuk lëviz. Jemi në një situatë edhe më të keqe. Ja për shembull, unë kam mbi 15 vite punë dhe jam aty ku kam qenë. Një koleg u largua këto ditë. Të tjerë po ashtu presin të transferohen diku, më mirë”, thotë një i punësuar.

SELAMI HARROI TË ZHBËNTE PADREJTËSITË

Dy vjet më parë (në dhjetor të 2020) kur mori detyrën Selami deklaronte për KOHA se shumë shpejt do të zhbënte padrejtësitë ndaj punonjësve shqiptarë. Zëvendësdrejtori i ri, Ilmi Selami, pohonte se një nga detyrat e para është rikuperimi i dëmeve që i janë shkaktuar personelit ekzistues, me shkarkimet dhe mosavanacimet në vendet e merituara, por edhe rritja e numrit të punonjësve shqiptarë, duke rregulluar kështu edhe përfaqësimin e drejtë etnik – përfaqësim ky që për momentin është në shifra shumë të ulëta, jo vetëm sa i takon numrit të reduktuar të punonjësve shqiptarë, por edhe pozicionimit të tyre në poste drejtuese. “Një nga kushtet për besueshmërinë ndaj institucionit është edhe përfaqësimi i drejtë, si në nivel vertikal ashtu edhe horizontal. Duhet patjetër të rregullohen padrejtësitë e bëra, si ndaj punonjësve që janë pjesë e këtij institucioni dhe që shumë shpejt do të avancohen në pozitat që meritojnë, por edhe do të kryhen edhe 15 punësime të reja. Avancimet në detyrë nënkuptojnë që nga nëntë drejtues sektorësh të paktën dy do të jenë shqiptarë, tre ndihmës udhëheqës, ndërsa në 40 njësitë po ashtu do të vendosen të paktën nëntë drejtues shqiptarë”, deklaronte për KOHA Selami. Por dy vjet pas situata është skandaloze. “Çështja është se as nuk ke ku ta adresosh problemin. Zëvendësdrejtori ka mbi një vit e dy muaj që thuajse nuk vjen fare në punë, prej atëherë kur u shpallen rezultatet e Regjistrimit ishte dhe 2 herë për çështje personale, administrative. Është i pakapshëm”, thotë një tjetër punonjës. I paarritshëm zëvendësdrejtori Ilmi Selmani është edhe për gazetën, duke mos dashur të komentojë situatën brenda institucionit përfshirë konkurset e punësimit që po zhvillohen.

17 PËR QIND SHQIPTARË, 2 PËR QIND NË POSTE

Nga gjithsej 228 të punësuarit, vetëm 39 janë shqiptarë. Dhe nga 60 punonjës me kontrata, vetëm 9 janë shqiptarë, të cilët presin që me konkursin që po zhvillohet të kalojnë në marrëdhënie të përhershme pune. Në total, nga 42 njësi e 9 sektorë udhëheqës numërohet vetëm një udhëheqës njësie, që është në atë pozicion prej shumë vitesh dhe dy këshilltarësh. Me rezultatet e publikuara në faqen e ESHS nga konkursi i fundit edhe udhëheqësi i Njësisë së Shkupit që ishte shqiptar u zëvendësua nga një maqedonase. Këto shifra përfaqësimi me ndryshime të vogla janë prezente në këtë institucion prej vitesh dhe nuk kanë arritur t’i përmbysin asnjë prej zëvendësdrejtorëve shqiptarë që janë ulur në atë pozicion. Përveç mërive dhe avancimeve me direktivë nga partia asnjëri nuk ka sjellë progres, duke i lënë të punësuarit shqiptar në pozicione si referentë, bashkëpunëtorë… Sa i takon specializimeve të të punësuarve jashtë vendit e që i organizon Enti, përfaqësimi i të punonjësve shqiptarë gjatë gjithë këtyre viteve dhe dekadave është i barabartë me zero. Po ashtu edhe pjesëmarrja e shqiptarëve nëpër projekte të ndryshme brenda Entit, të financuara nga fondet evropiane dhe nga vet buxheti i qeverisë është shumë e vogël.

Related Articles

Back to top button
Close
Close