
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka shpallur rezultatet Konkurseve për realizimin e projekteve vjetore me interes nacional për vitin 2026. Në gjithsej dhjetë kategori, të hapura për konkurrim kanë arritur 2,618 aplikime. Në konferencën për media të dielën ministri Zoran Lutkov u shpreh se procesi i përzgjedhjes, u krye në bazë të kritereve të përcaktuara qartë, prioriteteve të paracaktuara dhe komisioneve të ekspertëve të përbëra nga persona kompetentë nga fushat përkatëse, shkruan gazeta KOHA.
Sipas tij, ky është një mesazh i qartë dhe i pakundërshtueshëm se kultura ka mbështetje dhe se shteti qëndron pas artistëve, institucioneve dhe punonjësve të saj. Buxheti i përgjithshëm i MKT për vitin 2026 është 5 miliardë e 194 milionë e 975 mijë denarë, ose 519 milionë e 713 mijë denarë më i lartë se vitin e kaluar. Buxheti i ndarë për projekte me interes kombëtar në kulturë është 1 miliardë e 70 milionë e 417 mijë denarë. I pyetur sesa është përqindja e projekteve që lidhen me kulturën shqiptare dhe të tjerët Lutkov tha se nuk ndihej mirë po t’i konsideronte shqiptarët si përqindje.
“Të gjithë ata që kritikojnë dhe kalkulojnë me procentë, ashtu si vitin e kaluar ishte e pakëndshme ta dëgjoje. Do të mbështesim projekte cilësore. Në komisione kemi shqiptarë, turq…, dhe të gjithë ata vendosin për projekte cilësore. Nuk mund të lejojmë që të kemi përqindje 20, 25… Nuk mundemi të përcaktojmë sesa është përqindja apo përfaqësimi në program. Nuk mundeni që me asnjë lloj matematike të bëni program procentual”, tha ministri.
Ai njoftoi se fondet janë rritur në disa aktivitete, duke i kushtuar vëmendje cilësisë, sasisë dhe zhvillimit të ekuilibruar të kulturës. Vëmendje e veçantë i është kushtuar krijimtarisë bashkëkohore, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe industrive krijuese, të cilat, siç tha ai, jo vetëm që sjellin vlerë kulturore, por edhe potencial të rëndësishëm ekonomik, raporton KOHA.
“Është veçanërisht e rëndësishme që në vitin 2026 të vazhdojmë me forcimin sistematik të institucioneve kombëtare. Këto janë projekte që do të pasurojnë ofertën kulturore, do të hapin hapësirë për shprehje të reja krijuese dhe do të kontribuojnë në afirmimin ndërkombëtar të kulturës maqedonase. Programi vjetor për projekte kulturore në vitin 2026 është një hap thelbësor përpara dhe provë se ne nuk e shohim kulturën si shpenzim, por si një investim strategjik në identitetin tonë kombëtar, në potencialin krijues të njerëzve dhe në të ardhmen e të gjithë shoqërisë”, tha ministri.



