LajmeSport

Revolucion historik i Manchester City, mbi 400 milionë euro të ardhura nga shitjet. Liderët e ekipit u larguan bashkë me Guardiolën

Manchester City po përjeton një nga verat më të mëdha të historisë së tij në merkato, jo vetëm për shpenzimet, por edhe për paratë e arkëtuara nga shitjet e lojtarëve. Pas më shumë se 2 miliardë eurosh të shpenzuara për transferime gjatë dekadës së Pep Guardiolës, klubi anglez po hyn në një epokë të re nën drejtimin e Enzo Maresca.

Në të njëjtën verë, City mund të realizojë tre nga katër transferimet më të shtrenjta në historinë e klubit, ndërsa paralelisht po regjistron të ardhura rekord nga shitjet.

Klubi ka paguar tashmë rreth 137 milionë euro për Elliot Anderson, ndërsa ka arritur marrëveshje prej 100 milionë eurosh për Ayyoub Boudi. Nëse realizohet edhe transferimi i Enzo Fernández nga Chelsea për rreth 140 milionë euro, shpenzimet do të marrin përmasa të jashtëzakonshme. Por ajo që bie më shumë në sy këtë verë është ana tjetër e bilancit.

City ka arkëtuar mbi 300 milionë euro

Manchester City pritet të regjistrojë për të pestin sezon radhazi të ardhura prej më shumë se 100 milionë eurosh nga shitjet.

Sezoni  Të ardhurat nga shitjet Shitja më e shtrenjtë

2022/23                162 milionë €     Raheem Sterling, 52 mln €

2023/24                139 milionë €     Cole Palmer,  47 mln €

2024/25                152 milionë €     Julián Álvarez,  75+10 mln €

2025/26                107 milionë €     Oscar Bobb,  31 mln €

2026/27                307 milionë €     Savinho,  88+12 mln €

Duke përfshirë bonuset. Vetëm këtë verë, Manchester City ka kaluar shifrën e 300 milionë eurove të arkëtuara nga shitjet. Transferimi i Savinhos te Tottenham ka sjellë 88 milionë euro të garantuara, plus 12 milionë euro në bonuse.

Në këtë shifër përfshihen edhe shitjet e Rodrit për 60+16.5 milionë euro, Tijjani Reijnders për 61 milionë euro dhe James Trafford për 47 milionë euro. Dhe bilanci pritet të rritet edhe më tej.

City drejt një rekordi historik

Nico González pritet të transferohet te Neëcastle për rreth 58 milionë euro, ndërsa Omar Marmoush mund të largohet drejt Tottenhamit për një shumë që llogaritet mes 58 dhe 70 milionë eurove.

Nëse këto dy marrëveshje zyrtarizohen, të ardhurat e Manchester Cityt nga shitjet këtë verë do të kalojnë 400 milionë euro, një shifër e jashtëzakonshme.

Për të gjetur një klub që ka arkëtuar shifra të ngjashme brenda një merkatoje të vetme duhet të kthehemi te vera e vitit 2018, kur Monaco fitoi rreth 365 milionë euro nga shitjet e disa prej yjeve të saj, mes tyre Kylian Mbappé, Thomas Lemar dhe Fabinho. City, tetë vite më vonë, është shumë pranë tejkalimit të këtij rekordi.

Një City krejtësisht i ri

Revolucioni në Manchester nuk lidhet vetëm me shifrat. Klubi po ndërton një skuadër të re pas largimit të disa prej figurave kryesore të epokës Guardiola.

Rodri, Kevin De Bruyne, Ederson, İlkay Gündogan, Bernardo Silva, John Stones, Nathan Aké dhe Manuel Akanji janë larguar tashmë ose kanë lënë një boshllëk të madh në skuadër.

Nga formacioni që në vitin 2023 fitoi Champions League-n e parë në historinë e Manchester Cityt, kanë mbetur shumë pak emra. Aktualisht, ndër titullarët e asaj finaleje ndaj Interit në Stamboll, rezistojnë kryesisht Erling Haaland dhe Rúben Dias, ndërsa edhe Jack Grealish duket gjithnjë e më pranë largimit.

Në anën tjetër, klubi ka investuar te emra si Gianluigi Donnarumma, Rayan Cherki, Elliot Anderson dhe Joško Gvardiol, të cilët pritet të jenë pjesë e gjeneratës së re të Cityt.

Me një skuadër që po ndryshon rrënjësisht dhe me qindra milionë euro të arkëtuara nga shitjet, Manchester City po përgatitet për një tjetër revolucion në Etihad, ndërsa drejtuesit kanë fuqinë financiare për të bërë goditje të mëdha në ditët e fundit të merkatos.

Related Articles

Back to top button
Close
Close