LajmeMaqedoniTopLajm

Revizioni në Agjencinë e Punësimit zbuloi kontrata tre-ditore, pagesa pa dokumente dhe 77% e honorareve për një avokat

Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizionin e raporteve financiare së bashku me revizionin e pajtueshmërisë të Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV) për vitin 2024. Janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mosharmonizim në punën e APRMV-së dhe është shprehur opinion me rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare, si dhe opinion i pafavorshëm për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura, për vitin 2024. Në vitin 2024, përmes APRMV-së janë paguar 1.326.958 mijë denarë, ose afërsisht 21.541.526 euro, si kompensim në të holla në rast papunësie, prej të cilave 876.960 mijë denarë (14.236.364 euro) për kompensim në të holla dhe 449.998 mijë denarë (7.305.162 euro) për sigurim material. Këto mjete përbëjnë 40,6% të shpenzimeve të përgjithshme të APRMV-së në vitin 2024. Pagesat për kompensimin në të holla janë më të larta për 27,13%, përkatësisht për 187.148 mijë denarë, krahasuar me vitin 2023, transmeton Portalb.mk.

Revizioni konstatoi dobësi në procedurën e realizimit të së drejtës për kompensim në të holla, të cilat kanë të bëjnë me dokumentacion jo të plotë, mungesën e shkëmbimit elektronik të të dhënave me Fondin e SPIM-it, si dhe devijime gjatë përcaktimit të lartësisë së kompensimit. U konstatua se pjesa më e madhe, përkatësisht 67,91% e shumës së paguar për kompensim në të holla në rast papunësie gjatë vitit 2024, është paguar mbi bazën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës të lidhur për kohë të caktuar. Gjatë revizionit u konstatuan raste të kontratave të punës për kohë të caktuar të lidhura vetëm për tre ditë, kontrata të vazhduara përtej kufirit ligjor maksimal prej pesë vjetësh, si dhe ripunësim te i njëjti punëdhënës pas shfrytëzimit të së drejtës për kompensim në të holla, çka tregon nevojën për forcimin e kontrolleve gjatë realizimit të kësaj të drejte. Për realizimin e programeve dhe masave aktive të punësimit (gjithsej 14), të parapara me Programin Operativ për vitin 2024, janë paguar gjithsej 1.442.207 mijë denarë (23.412.451 euro), që paraqet një rritje prej 16,34% krahasuar me vitin 2023.

Related Articles

Back to top button
Close
Close