LajmeRajon

Revista amerikane “Travel Off Path”: Shqipëria drejt BE-së, çfarë pritet të ndryshojë për turistët

Shqipëria është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, falë natyrës, çmimeve të përballueshme dhe rregullave fleksibël për hyrjen e të huajve. Megjithatë, anëtarësimi i mundshëm në Bashkimin Evropian mund të sjellë ndryshime të rëndësishme për vizitorët ndërkombëtarë.

Revista amerikane “Travel Off Path” e rendit Shqipërinë mes destinacioneve më tërheqëse për turistët dhe nomadët digjitalë, por paralajmëron se përparimi i vendit në procesin e integrimit evropian do të ndryshojë gradualisht mënyrën se si të huajt hyjnë dhe qëndrojnë në vend.

Aktualisht, Shqipëria ka një nga politikat më liberale të hyrjes në Evropë. Duke qenë se nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, ajo ka të drejtën të përcaktojë vetë rregullat për vizat dhe qëndrimin e shtetasve të huaj.

Një nga lehtësitë më të veçanta është ajo që u ofrohet qytetarëve amerikanë. Ata mund të qëndrojnë në Shqipëri deri në 365 ditë pa vizë, vetëm me pasaportën e tyre.

Ky regjim ka bërë që Shqipëria të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë afatgjatë, profesionistë që punojnë online dhe të ashtuquajturit nomadë digjitalë, të cilët kërkojnë të jetojnë për muaj të tërë në një vend evropian pa procedura të ndërlikuara.

Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka hyrë në një fazë të rëndësishme. Vendi aplikoi për anëtarësim në vitin 2009 dhe pas një periudhe të gjatë përgatitjesh, negociatat kanë marrë ritëm më të shpejtë.

Një zhvillim i rëndësishëm u regjistrua më 15 korrik 2026, kur Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapituj negociues brenda një dite, një arritje që u konsiderua ndër më të shpejtat në procesin e zgjerimit të BE-së.

Ky përparim vjen në një moment kur Bashkimi Evropian po i kushton më shumë rëndësi zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe ndikimit në rritje të Rusisë në rajon.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se zgjerimi është tashmë një nga prioritetet kryesore të Komisionit Evropian. Sipas saj, nëse negociatat ecin sipas planit, Mali i Zi mund të bëhet anëtar në vitin 2028, ndërsa Shqipëria mund ta ndjekë një vit më vonë, në 2029.

Çfarë do të ndryshojë për turistët?

Nëse Shqipëria bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, qytetarët shqiptarë do të përfitojnë nga lëvizja e lirë dhe mundësi më të mëdha pune e studimi në vendet e unionit.

Për turistët e huaj, megjithatë, situata do të jetë ndryshe.

Sipas analizës së Travel Off Path, ndryshimet kryesore do të lidhen me tre fusha: rregullat e hyrjes në vend, standardin e jetesës dhe procesin e ardhshëm të anëtarësimit në Zonën Shengen.

Rregullat për hyrjen dhe qëndrimin

Një nga ndryshimet më të rëndësishme pritet të prekë qytetarët amerikanë, thotë revista është fundi i qëndrimit njëvjeçar pa vizë. Aktualisht ata mund të jetojnë në Shqipëri deri në një vit pa vizë, por pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian vendi do të duhet të harmonizojë politikat e tij të emigracionit me legjislacionin evropian.

Kjo do të thotë se privilegji aktual pritet të hiqet dhe shtetasit amerikanë do t’i nënshtrohen të njëjtave rregulla që zbatohen në shumicën e vendeve të BE-së, duke u lejuar të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Po ashtu, Shqipëria do të duhet të rishikojë edhe regjimin e vizave për disa shtete të tjera, duke e përafruar atë me politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Kontrollet kufitare do të ndryshojnë

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me Sistemin Evropian të Hyrje-Daljeve (Entry/Exit System – EES).

Ky sistem parashikon regjistrimin biometrik të shtetasve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës gjatë hyrjes së parë në territorin e BE-së.

Aktualisht hyrja në Shqipëri është shumë më e thjeshtë dhe kontrolli kufitar zakonisht përfundon brenda pak minutash.

Pas anëtarësimit, vizitorët mund të përballen me procedura të ngjashme me ato që zbatohen në vendet e tjera evropiane, të cilat në disa raste kanë sjellë vonesa dhe radhë në pikat kufitare.

A do të hyjë Shqipëria menjëherë në Shengen?

Jo domosdoshmërisht. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk nënkupton automatikisht hyrjen në Zonën Shengen.

Shembujt e Rumanisë, Bullgarisë dhe Kroacisë tregojnë se një vend mund të presë për vite me radhë deri në anëtarësimin në Shengen, edhe pasi është bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Për këtë arsye, edhe nëse Shqipëria anëtarësohet në BE në vitin 2029, ajo mund të mbetet për një periudhë jashtë Shengenit.

Në këtë rast, vizitorët amerikanë dhe shtetasit e tjerë të vendeve jashtë BE-së do të mund të qëndronin në Shqipëri deri në 90 ditë, por kjo periudhë nuk do të llogaritej bashkë me ditët e kaluara në vendet e Zonës Shengen.

Ky model është zbatuar më parë edhe nga Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Qiproja përpara hyrjes së tyre në hapësirën Shengen.

Çmimet pritet të rriten gradualisht

Përveç ndryshimeve në rregullat e hyrjes, ekspertët parashikojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ndikojë edhe në koston e jetesës.

Shqipëria mbetet një nga destinacionet më ekonomike në Evropë. Aktualisht, një apartament modern me një dhomë gjumi mund të merret me qira për rreth 400 dollarë në muaj, ndërsa një apartament buzë detit në Vlorë ose Sarandë kushton mesatarisht rreth 120 dollarë nata.

Edhe restorantet vazhdojnë të ofrojnë çmime konkurruese, me një darkë për dy persona që zakonisht kushton nga 45 deri në 60 dollarë.

Megjithatë, përvoja e vendeve të tjera që janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian tregon se investimet, fondet evropiane dhe rritja ekonomike sjellin gradualisht edhe rritje të pagave, të çmimeve dhe të kostos së jetesës.

Shqipëria mbetet një nga destinacionet më tërheqëse

Pavarësisht ndryshimeve që mund të sjellë anëtarësimi në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të mbetet një nga destinacionet turistike më të kërkuara në Mesdhe.

Me vijën e gjatë bregdetare, natyrën, qytetet historike, çmimet ende konkurruese dhe nivelin e lartë të sigurisë për vizitorët, vendi vazhdon të tërheqë miliona turistë çdo vit.

Megjithëse rregullat e hyrjes mund të bëhen më të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian, ekspertët vlerësojnë se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një alternativë tërheqëse për turistët dhe nomadët digjitalë që kërkojnë të jetojnë dhe punojnë për periudha të gjata në Evropën Juglindore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close