BotaLajme

Regjimenti Azov publikon video të luftimeve

Në uzinën Azovstal të Mariupolit po zhvillohen luftime. Këtë e dëshmon kjo video e publikuar nga pjesëtarët e regjimentit Azov, që kanë nën kontroll uzinën, bastioni i tyre i fundit i mbetur në Mariupolin e pushtuar nga rusët.

Video hedh poshtë pretendimet e rusëve se nuk po përpiqen të pushtojnë uzinën, në vendstrehimet e të cilës ndodhen mbi 1 mijë luftëtarë të kësaj njësie që nga Moska konsiderohet ‘Neonaziste’. Dëshmi e bombardimeve të ashpra ruse është edhe tymi që del vazhdimisht nga kjo uzinë.

Ushtria ukrainase, sakaq vijon për zmbrapsë rusët në rajonet verilindore. Agjencia e lajmeve Reuters konfirmoi se ukrainasit kanë rimarrë nën kontroll një territor të gjerë pranë lumit Siverski Donec, 40 kilometra në lindje të Harkivit.

Në Gjykatën e Kievit nis shqyrtimi i të parit rast të krimeve të luftës të kryera nga rusët, ku një ushtar rus i kapur nga ukrainasit do të shfaqet për të dëshmuar, ndërsa rrezikon burgim të përjetshëm.

Ndërsa në kështjellën Vajsenhaus në veri të Gjermanisë, liderët e G7 po diskutojnë për ndihma të reja ushtarake ndaj Ukrainës. Shefi i diplomacisë evropiane Borrell premton 500 milionë Euro armatime, ndihmë për këtë vend.

Related Articles

Back to top button
Close
Close