
Legjislacioni parashikon krijimin e një sistemi të paralajmërimit të hershëm, përmes të cilit kompanitë do të monitorojnë vazhdimisht likuiditetin, aftësinë paguese, rrjedhën e parasë dhe përmbushjen e detyrimeve financiare. Synimi është që bizneset që kanë vështirësi të përkohshme të mund të ristrukturohen në kohë, të ruajnë aktivitetin ekonomik dhe vendet e punës, ndërsa kreditorët të kenë mbrojtje më të madhe.
Kompanitë do të kenë mundësinë të shmangin falimentimin që në fazën kur shfaqen shenjat e para të vështirësive financiare, por kjo do të shoqërohet edhe me detyrime shumë më të rrepta për drejtuesit e tyre. Projektligji për Paralajmërimin e Hershëm dhe Ristrukturimin Parandalues të Shoqërive Tregtare, i cili parashihet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndryshon mënyrën se si trajtohen krizat financiare të bizneseve, duke e zhvendosur fokusin nga falimentimi te parandalimi i tij.
Për herë të parë, legjislacioni parashikon krijimin e një sistemi të paralajmërimit të hershëm, përmes të cilit kompanitë do të monitorojnë vazhdimisht likuiditetin, aftësinë paguese, rrjedhën e parasë dhe përmbushjen e detyrimeve financiare. Synimi është që bizneset që kanë vështirësi të përkohshme të mund të ristrukturohen në kohë, të ruajnë aktivitetin ekonomik dhe vendet e punës, ndërsa kreditorët të kenë mbrojtje më të madhe.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me përgjegjësinë e drejtuesve të kompanive. Menaxherët dhe organet drejtuese do të jenë të detyruar të mbikëqyrin vazhdimisht gjendjen financiare të shoqërisë dhe, sapo të konstatohet rreziku i insolventës, brenda 15 ditëve duhet të njoftojnë kreditorët dhe të nisin bisedimet për stabilizimin financiar ose procedurën e ristrukturimit parandalues. Pra, nëse ata nuk reagojnë me kohë, vazhdojnë aktivitetin pa perspektivë reale për mbijetesë ose ndërmarrin veprime që dëmtojnë interesat e kreditorëve duke zvogëluar pasurinë e kompanisë, do të mbajnë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.
Përgjegjësi të reja u ngarkohen edhe kontabilistëve. Ata do të duhet të përgatisin pasqyra financiare të paktën çdo tre muaj, të hartojnë projeksione 12-mujore të fluksit të parasë dhe ta paralajmërojnë me shkrim menaxhmentin nëse identifikojnë rrezik falimentimi. Megjithatë, projektligji sqaron se, nëse veprojnë në mënyrë profesionale dhe sipas ligjit, ata nuk do të mbajnë përgjegjësi për vendimet afariste të drejtuesve të kompanisë.
Në rast se një kompani vlerëson se rrezikon falimentimin, ajo mund të nisë vetë procedurën e ristrukturimit parandalues. Gjatë kësaj periudhe, menaxhmenti mbetet në drejtimin e biznesit dhe zhvillon negociata me kreditorët për hartimin e një plani ristrukturimi. Ky plan mund të përfshijë riprogramimin e borxheve, shtyrjen ose uljen e detyrimeve, sigurimin e financimit të ri dhe masa të tjera që synojnë rikthimin e stabilitetit financiar dhe vazhdimin e aktivitetit të kompanisë.
Projektligji parashikon që kreditorët të ndahen në klasa sipas statusit të tyre juridik, ndërsa plani do të konsiderohet i miratuar nëse në secilën klasë votojnë pro kreditorët që përfaqësojnë të paktën dy të tretat e vlerës së kërkesave.
Ndërkohë, një nga risitë më të rëndësishme është se, në rrethana të caktuara, gjykata mund ta konfirmojë planin edhe kur jo të gjithë kreditorët pajtohen me të. Kjo do të jetë e mundur nëse të paktën një klasë kreditorësh që do të kishte të drejtë pagese edhe në procedurë falimentimi e mbështet planin, ndërsa kreditorët kundërshtues nuk vendosen në pozitë më të pafavorshme sesa do të ishin në rast falimentimi. Me këtë synohet të parandalohet që një numër i vogël kreditorësh të bllokojnë shpëtimin e një kompanie që ka perspektivë për rimëkëmbje.
Në rast se të gjithë kreditorët bien dakord me planin, procedura nuk do të kalojë në gjykatë. Marrëveshja do të certifikohet nga noteri dhe do të ketë fuqinë e dokumentit të ekzekutueshëm. Ndërhyrja e gjykatës do të kërkohet vetëm në rastet kur mungon konsensusi, kërkohet moratorium ose kur plani duhet të zbatohet edhe ndaj kreditorëve që nuk e kanë mbështetur.
Para marrjes së vendimit, gjykata do të kërkojë mendimin e administratorit të falimentimit për qëndrueshmërinë financiare të planit, drejtësinë e trajtimit të kreditorëve dhe ndikimin e tij mbi palët e përfshira. Projektligji parashikon gjithashtu mbrojtje për financimin e ri që sigurohet gjatë procesit të ristrukturimit, duke garantuar se këto mjete nuk do të mund të kontestohen më vonë vetëm për shkak se janë dhënë gjatë procedurës.
Ndryshe, nëse ristrukturimi dështon ose kompania bëhet e paaftë për të përmbushur detyrimet gjatë procedurës, atëherë do të hapet procedura e zakonshme e falimentimit sipas Ligjit të Falimentimit. Rregullat e reja nuk do të zbatohen për bankat, bankat e kursimit, shoqëritë e sigurimeve, kompanitë financiare, shtëpitë e ndërmjetësimit, shoqëritë e lizingut dhe institucionet e tjera financiare, si dhe për organet dhe institucionet shtetërore.



