
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari deklaroi sot se Ministria që ai drejton deri tek Oda e Mjekëve ka propozuar marrjen e licencës së mjekut që atë mbrëmje ishte në kujdestari kur ndodhi vdekja e të riut nga Kumanova Vedat Ademit.
“Absolutisht e ndjekim rastin. Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka propozuar Odës së mjekëve t’i merret licenca mjekut që ishte kujdestar atë mbrëmje”, ka thënë Arben Taravari.
Nga ana tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë kumtuan se gjithë dokumentacioni për rastin edhe nga Mjekësia ligjore para një jave është dorëzuar në Prokurori.
Prokuroria e Kumanovës tashmë ka hapur procedurë harahetimore për rastin me 32 vjeçarin nga Kumanova, Vedar Ademi, i cili vdiq më 17 mars në spitalin e qytetit. Ademi papritmas ka ndërruar jetë pasi ka marrë terapinë në spital. Familja e tij akuzon se gabimi i mjekut është arsyeja e vdekjes së tij, duke pretenduar se i është dhënë ilaçi ndaj të cilit ishte alergjik.
Paraprakisht, Taravari shkarkoi drejtorin e spitalit të Kumanovës Stefan Trajanovski, i cili ishte ndërruar nga pozita e tij pasi në raportin e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ishte konfirmuar se ka pasur shumë lëshime në spital.



