
Në Gjykatën Themelore të Strugës, sot do të vazhdojnë dy seanca të ndara gjyqësore kundër kryetarit të komunës Ramiz Merko, lidhur me blerjen e një veture luksoze “Audi A6” për nevojat e Komunës së Strugës dhe për vendosjen e një pllake përkujtimore në hyrje të godinës komunale.
Seanca për blerjen e veturës luksoze ka rifilluar nga fillimi për shkak të ndërrimit të gjyqtarit, me paraqitjen e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve. Edhe pse mbrojtja parashtroi ankesë për parashkrim të veprës, kjo u refuzua si nga gjyqtari i mëparshëm, ashtu edhe nga gjyqtari aktual, Jordan Jovanov. Sipas tij, nuk ka vend për parashkrim pasi ekziston ndërprerje e afatit të parashkrimit. Në seancën e fundit ai vërejti se lista e dëshmitarëve është voluminoze dhe do të vendosë më vonë nëse do ta pranojë tërësisht, duke theksuar se nuk do të tolerojë mungesën e dëshmitarëve pa arsye të justifikuara.
Pas përfundimit të kësaj seance, do të vazhdojë procesi tjetër gjyqësor për pllakën përkujtimore të vendosur në hyrje të godinës komunale. Si kryetar komune, në mars të vitit të kaluar Merko ka vendosur një pllakë përkujtimore, e cila sipas aktakuzës ka nxitur urrejtje dhe përçarje etnike mes banorëve të Strugës, duke kryer vepër penale sipas nenit 27 të Ligjit për monumentet dhe pllakat përkujtimore. Me kërkesë të prokurorisë, atij i është marrë pasaporta dhe ka detyrim të paraqitet në gjykatë një herë në javë.



