
Rami Qerimi anëtarë i Bashkimit Demokratik për Integrim, përmes një postimi në profilin e tij në FB ka reaguar ashpër për publikimin e një video materiali ku pretendohet se ai po blenë vota. Në reagimin e tij Qerimi thekson se kjo është tërësisht e pavërtetë dhe se kjo bëhet për të diskredituar, ndërsa paralajmëron për padi, shkruan Top24
Unë, Rami Qerimi, anëtar i BDI-së, reagoj ashpër ndaj një publikimi të portalit “Zbulo.mk”, të cilin e cilësoj si shpifje të pastër dhe manipulim të qëllimshëm, i orkestruar në prag të zgjedhjeve lokale.
Incizimi i publikuar në portal është bërë në mënyrë tinzare, gjatë një bisede të zakonshme para shtëpisë sime me fqinjët Burim Luzha dhe Emir Jusufi.
Dikush, në mënyrë të fshehtë, ka incizuar bisedën tonë private dhe ia ka dorëzuar portalit Zbulo.mk.
E përgënjeshtroj kategorikisht lajmin, pasi me mua policia as më ka kërkuar gjë, as më ka legjitimuar. Veturën që ka bërë incizimin do ta paraqes në polici për incizim të paautorizuar, sepse bëhet fjalë për shkelje të rëndë të privatësisë.
Publikimi i këtij materiali, vetëm një natë para zgjedhjeve lokale, është tentativë për diskreditim politik dhe personal.
Bëhet fjalë për një gënjeshtër të kulluar. Kam folur tashmë me avokatin tim dhe, nëse brenda 48 orëve portali “Zbulo.mk” nuk kërkon falje publike, do të ngre padi penale për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.
Njëkohësisht, bëj thirrje për respektimin e etikës profesionale në media, sepse publikime të tilla dëmtojnë integritetin personal dhe procesin demokratik në vend.



