
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar mbi sulmin ndaj një prej spitaleve në Gaza, ku mbetën të vdekur 500 persona.
Përmes një reagimi të gjatë, kryeministri Rama shkruan se sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe “zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken”
Sipas Ramës, kjo ngjarje nuk ka asnjë justifikim për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore. Ndërsa nënvizon se kjo ngjarje duhet të hetohet deri në fund pavarësisht pretendimeve të ndryshme të Izraelit dhe palestinezëve që akuzojnë njëra-tjetrën për sulmin.
“Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit.
Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrëqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit”, shkruan Rama.

Rama vë në dukje se Shqipëria dhe bota demokratike qëndrojnë në anën e Izraelit, por njëherësh sipas Ramës duhet të jenë garantë e të vërtetës të asaj që ka ndodhur në Gaza. Ndërsa kërkoi hetim dhe dënimin e këtij akti.
“Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, përfundon Rama në reagimin e tij.



