RajonTopLajm

Rama: Marrëveshje me Turqinë për të investuar tek objektet e trashëgimisë kulturore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se kanë bërë marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Turqisë për të investuar në mënyrë të konsiderueshme tek objektet e trashëgimisë kulturore, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në qytetin e Gjirokastrës për problematikat e ndryshme dhe investimet në disa sektorë, Rama foli edhe për marrëveshjet me Turqinë gjatë vizitës së tij në Ankara në fillim të muajit janar.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Turqisë në vizitën e fundit për të investuar në mënyrë të konsiderueshme pikërisht tek objektet e trashëgimisë kulturore. Nëpërmjet TIKA-s kanë ndërhyrë në objektet e kultit, por ajo që unë iu kam kërkuar prej disa kohësh dhe që është kthyer në një marrëveshje tani ka qenë që eksperienca e tyre e jashtëzakonshme në restaurimin e zonave të vjetra historike dhe kapacitete e tyre financiare, janë në kushtet që mund japin një dorë edhe këtu”, u shpreh Rama.

Duke iu referuar marrëveshjes me Turqinë, sa i përket trashëgimisë kulturore dhe restaurimeve, Rama tha se “Faktikisht kemi rënë dakord për Gjirokastrën dhe për Beratin dhe jemi duke punuar planin e ndërhyrjes. Natyrisht edhe qeveria shqiptare do të jetë pjesë e kësaj ndërhyrjeje, jo vetëm qeveria turke. Por, besoj që plani do të na mundësojë një ndërhyrje më të gjerë nga pikëpamja sasiore”.

Kujtojmë se gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Turqi më 6-7 janar, dy vendet nënshkruan deklaratën e përbashkët për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e mjekësisë, arsimit, infrastrukturës, si dhe protokollin e bashkëpunimit për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër dhe projektin e sistemit për mbrojtje nga vërshimet.

Nga ana tjetër, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka kontribuar për restaurimin e pesë monumenteve osmane në Shqipëri, konkretisht restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret, Xhamisë së Beqarëve dhe Teqesë Halveti në Berat.

Rama gjatë bashkëbisedimit iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve në lidhje me investimet në infrastrukturë, shëndetësi, turizëm dhe sektorë të tjerë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close