
Një skemë e paprecedentë dhe tejet e sofistikuar mashtrimi, e cila ka përdorur teknologjinë e Inteligjencës Artificiale (AI), është zbardhur nga Policia e Shtetit. Synimi i autorëve ishte zhvatja e një shume prej 60 mijë eurosh nga drejtori i një ndërmarrjeje të madhe shtetërore, duke iu hequr si kryeministri Edi Rama.
Gjithçka ka nisur në aplikacionin e enkriptuar të komunikimit, SIGNAL, ku zyrtarit të lartë i ka mbërritur një mesazh me tekstin: “Si jemi me objektivat?” nga një numër i panjohur. Vetëm pak çaste më vonë, në llogarinë e tij ka hyrë një video-telefonatë (video call). Kur drejtori është përgjigjur, në ekran i është shfaqur imazhi i kryeministrit Edi Rama, i cili mbante edhe syzet e tij karakteristike me kornizë të kuqe. Menjëherë pas mbylljes së kësaj telefonate të shkurtër, zyrtarit i ka mbërritur mesazhi tjetër: “Rama jam, më dërgo 60 mijë euro në Elbasan. Komuniko me këtë numër”.
I dyshimtë për situatën, drejtori ka vënë menjëherë në dijeni Policinë e Shtetit. Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës ka organizuar me shpejtësi një operacion të koduar, duke inskenuar dorëzimin e parave në qytetin e Elbasanit. Gjatë këtij momenti, agjentët kanë ndërhyrë në flagrancë duke vënë në pranga dy personat që u paraqitën për të marrë shumën, babë e bir, të identifikuar si Kujtim dhe Kledis Muzhaqi.
Nga hetimet e para, ekspertët e policisë dyshojnë fort se imazhi i kreut të qeverisë gjatë video-call-it është një produkt i gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale (teknologjia deepfake), duke shënuar një rritje të shkallës së rrezikshmërisë së mashtrimeve kibernetike në vend, ku më parë përdorimi i emrave të politikanëve bëhej vetëm përmes mesazheve të shkruara apo telefonatave të thjeshta.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për babanë, Kujtim Muzhaqi, ndërsa për djalin e tij 20-vjeçar, Kledis Muzhaqi, u caktua masa “arrest shtëpie”. Grupi hetimor po vijon punën e thelluar pasi ka dyshime të bazuara se babë e bir nuk kanë vepruar të vetëm, por janë pjesë e një rrjeti më të gjerë që zotëron njohuri të avancuara teknologjike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.



