
Kryetari i PD Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po zhvillon anti miting me punonjësit e bashkisë së Tiranës
Gjatë mbledhjes së kryesisë së PD, Berisha akuzoi liderin e mazhorancës se po përpiqet të mbrojë aferat korruptive të qeverisë së tij.
“Thërret Bashkinë në antimiting në ditën e rrëzimit të shtatores së diktatorit. U them unë ju, ia ka mbathur me autoblinda nga frika se sulmohet Blloku. Me gjithë familjen e tij kanë përfunduar në tunelet e Zall Herrit atë ditë”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi punonjësit e bashkisë të mos marrin pjesë në takim, pasi do të regjistrohen nga PD.
“Punonjësit, patronazhistët e administratës, që emër për emër do regjistrohen, i garantoj se pjesëmarrja në atë krim. Krim elektoral, krim shtetëror. Sepse ai po u thërret ju të dashur punonjës, vetëm për të mbrojtur monumentin e tij të korrupsionit dhe drogës”, shtoi kreu i PD-së.
Akuzat e Berishës ndaj kryeministrit Edi Rama u bënë gjatë mbledhjes ku u miratuan kandidatët që do të marrin pjesë në procesin e primareve e do të jenë kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Në primare do të marrin pjesë shumica e grupit parlamentar aktual; me përjashtim të deputetëve Helidon Bushati, Emilia Koliqi, Ferdinant Xhaferaj, Eralda Bano e Ori Nebiaj.
Primaret do të zhvillohen në datën 1 mars, por lista e kandidatëve për deputet do të përcaktohet në mbledhjen e kryesisë në 12 mars.
/vizionplus.tv



