
Qindra mijëra turq protestuan në Stamboll të shtunën kundër burgosjes së kryetarit të qytetit, Ekrem Imamoglu, i cili është rivali kryesor i presidentit të vendit, Recep Tayyip Erdogan.
Demonstruesit i vazhduan protestat të shtunën, të cilat janë shndërruar në demonstratat më të mëdha në Turqi pas më shumë se një dekade.
Në protestë u lexua një letër nga Imamoglu, e shoqëruar nga brohoritjet e mëdha të turmës
“Nuk kam frikë, ju më qëndroni pas dhe përkrah. Nuk kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësit”, thuhet në letrën e Imamoglut.
Qindra mijëra turq në mbarë vendin iu përgjigjën thirrjeve të opozitës për protesta, pasi Imamoglu u arrestua javën e kaluar dhe më pas u burgos në pritje të gjyqit nën akuza për korrupsion.
Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por gati 2.000 njerëz janë arrestuar.



