LajmeMaqedoniTopLajm

QEVERIA TË HEQË DORË NGA LUKSET! LSDM për pagën minimale 600 euro

 LSDM sot ka dalë me një propozim të ri për rritjen e pagës minimale në 600 euro, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje të qartë, konkrete dhe të realizueshme

Në një konferencë për shtyp, nënkryetarja e LSDM -së, Jovanka Trençevska, deklaroi se përmes rebalancit të buxhetit dhe me shkurtim racional të shpenzimeve nga “luksi i pushtetit”, mund të sigurohen deri në 200 milionë euro për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe për mbështetjen e kompanive dhe sektorit privat përmes subvencionimit të kontributeve. “VMRO të mos i frikësojë kompanitë private dhe punëdhënësit”, tha Trençevska.

Sipas LSDM -së, vetëm për rritjen e pagës minimale në 600 euro nevojiten rreth 7,5 miliardë denarë, pra 120 milionë euro. Partia thekson se me shkurtim prej 20 deri në 30 për qind të zërit “mallra dhe shërbime”, ku përfshihen automjete, mobilie, udhëtime, përfaqësime, shërbime të kontraktuara dhe komoditeti i funksionarëve, mund të sigurohen 130 milionë euro.

Gjithashtu, me shkurtim të zërit “transfere të ndryshme”, nga honoraret dhe punësimet e përkohshme, sipas LSDM -së, mund të sigurohen edhe 75 milionë euro. “Këto para mjaftojnë jo vetëm për pagën minimale prej 600 euro, por edhe për një masë shtesë për mbështetjen e sektorit privat përmes subvencionimit të kontributeve”, deklaroi Trençevska.

Ajo shtoi se në këtë mënyrë kompanitë do të mund të rrisin pagat pa rrezikuar likuiditetin e tyre. “Nuk mund të ketë para për luks, udhëtime, tenderë partiakë dhe punësime partiake, e të mos ketë para për punëtorët”, theksoi Trençevska.

Sipas saj, nuk qëndrojnë justifikimet e qeverisë se rritja e pagës minimale do të rrezikojë ekonominë apo funksionimin e kompanive. “LSDM gjatë mandatit të vet e rriti pagën minimale nga 8.000 në 22.000 denarë, pa u mbyllur vende pune dhe pa u rrezikuar ekonomia. Përkundrazi, me më shumë para te qytetarët dhe me mbështetje për kompanitë, u rrit konsumi dhe prodhimi vendor”, tha Trençevska.

Nga LSDM theksojnë se nëse pushteti dëshiron t’u ndihmojë punëtorëve, mund menjëherë të propozojë ribalanc të Buxhetit, të cilin ata do ta mbështesin.

Related Articles

Back to top button
Close
Close