LajmeMaqedoniTopLajm

Qeveria e RMV-së shpalli 30 ditë gjendje krize për furnizim me energji elektrike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot informoi se Qeveria në seancën e sotme, me kërkesë të Komisionit për Ndjekje të Gjendjeve për Furnizimin me Rrymë Elektrike, e formuar nga Ministria e Ekonomisë ka miratuar vendim për shpalljen e gjendjes së krizës për furnizim me energji elektrike në kohëzgjatje prej 30 ditëve, njofton portalb.mk

“Më 30 tetor Qeveria ka miratuar dekret për kriteret, kushtet dhe masat që po ndërmerren për shpalljen e gjendjes së krizës për furnizim me energji elektrike. Gjendja e krizës është krijuar për shkak të kushteve klimatike, fatkeqësive natyrore, katastrofave dhe shkatërrimit të tregut të energjisë.

Bekteshi, informoi se për shkak kësaj arsye, operatori “MEPSO” ka përgatitur raport për vlerësimin e stabilitetit të sistemit elektro-energjetik të RMV-së për tremujorin e fundit të këtij viti.

“Sipas raportit vlerësohet se ekziston rreziku i krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe gjendjes së tregut të energjisë elektrike. Ky vlerësim i rrezikohet bazohet në disa baza: për shkak të kapaciteteve të prodhimit vendor, por edhe rritjes së çmimeve në bursat e huaja”, tha Bekteshi.

Ai shtoi se si masë e vetme që del nga ky vendim për shpalljen e krizës energjetike është që të injektohen mjete financiare në kompanitë energjetike me qëllim që të stabilizohet gjendja në tregun e energjisë elektrike.

“Si qeveri, për momentin jemi të fokusuar në menaxhimin e suksesshëm me sfidat të cilat janë krijuar nga kriza globale energjetike. Përsëris, miratojnë gjendje krize me qëllim që të rritet likuiditeti a assesi të ndërmarrim masa restriktive, që do të ndikonin negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Bekteshi.

Ndryshe, Portalb.mk, paraprakisht shkruajti se autoritetet e Maqedonisë së Veriut premtojnë se deri në mbarim të këtij viti nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, por pas 1 janarit nuk dihet çfarë do të ndodhë, megjithëse premtojnë se do të ndihmojnë në tejkalimin e krizës e cila është e përmasave botërore. Ekspertët nga ana tjetër, vlerësuan se kriza energjetike vetëm se ka filluar të ndjehet, ndërkaq në përkeqësimin e gjendjeve mund të kontribuojnë temperaturat e ulëta të dimrit, kur dhe rritet kërkesa për energji elektrike për ngrohje të amvisërive.

Ndryshe, situata është shumë e keqe, përsëriti dje vlerësimin për gjendjen me energjinë elektrike në Maqedoni, Kushtrim Ramadani, drejtor i MEPSO-s. Ai  për momentin është i vetmi zyrtar shtetëror që nuk tenton të relativizojë krizën energjetike me të cilën po përballet Maqedonia, për dallim, për shembull, nga ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi apo drejtori i ESM-së Vasko Kovaçevski.

Ramadani është decid dhe thotë se duhet të reagohet shpejt dhe se për momentin vetëm moti i ngrohtë është në anën tonë.

“Pas mbylljes së djeshme të REK Manastirit, sërish kemi marrë rrymë nga tregu evropian. Nuk dihet se çfarë do të bëjmë me thëngjillin dhe nëse përveç REK Manastirit do të mund të vihet në funksion edhe TC Oslomej. Sigurisht që situata me zero prodhim vendor nuk është e mirë”, tha Ramadani dje për Faktor.

Elektranat e Maqedonisë së Veriut para dy ditësh bleu rrymë për 1.1 milionë euro, e nevojshme vetëm për tre ditë, deri sot. Çmimi me të cilin blihet sot energjia elektrike për një megavat orë është nga 199 euro në 259 euro. EMV për nevojat e amvisërive shet energjinë elektrike për 37 euro për megavat orë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, nuk do të ketë kufizime për energjinë elektrike dhe deri në fund të vitit nuk do të rritet çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë. Situata e krizës në sektorin energjetik futet, siç thuhet, me qëllim që mjetet buxhetore të injektohen drejtpërdrejt në kompanitë energjetike, në radhë të parë MEPSO dhe ShA EMV.

Sipas Bekteshit, qeveria ka mjete që të intervenojë edhe në varësi të nevojave të kompanive energjetike, aq para do të ridrejtohen direkt nga buxheti, por me gjasë bëhet fjalë për shumë prej 100 milionë eurosh, para që kanë mbetur të pashpenzuara për kovid- krizën.

Sot herët në mëngjes, njëri bllok i REK Manastirit ka filluar prodhimin e energjisë elektrike. Blloku 2 është ende duke u riparuar. Blloku 3 është i paqartë nëse do të funksionojë këtë dimër pas zjarrit në nënstacionin në REK.

Është ende e paqartë se kur TC Negotinë do të fillojë të punojë. Pritet mazuti. Në TC Oslomej presin qymyrin e importuar. EMV deri më tani ka shpenzuar 6.5 milionë euro për importin e energjisë elektrike.

REK Manastir ka 40 mijë tonë thëngjill, që sipas ministrit Bekteshi mjafton për 8 ditë punë në të dy blloqet, ndërsa ekspertët thonë vetëm për 4 ditë.

Ekspertët thonë se keqmenaxhimi i EMV është arsyeja kryesore për këtë hyrje në sezonin e dimrit kur konsumi i energjisë elektrike është më i lartë. Thjesht, thonë ata, deri më tani është dashur të gërmohen rezerva të mjaftueshme të thëngjillit për funksionim normal gjatë dimrit, pavarësisht rritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike në tregun botëror.

Ndryshe, për shkak krizës energjetike edhe shtetet evropiane kanë filluar të ndërmarrin masa. Spanja ka miratuar masa urgjente për të zvogëluar faturat e energjisë, Greqia do të ofrojë subvencione për shumicën e familjeve deri në fund të vitit, për t’i bërë kostot e energjisë elektrike më të përballueshme, Italia mund të rishikojë mënyrën e llogaritjes së faturave të energjisë elektrike, në Gjermani, çmimet e energjisë janë bërë temë debati në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit, ndërkaq Britania, ka vendosur kufi për tarifat e energjisë më të përdorur qysh në vitin 2019.

Related Articles

Back to top button
Close
Close