
Në kryeqytet u zhvillua sot dita e 23-të e protestës jopartiake, ku qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan më pas para Kryeministrisë, aty ku mbajtën edhe fjalimet.
Gjatë tubimit, protestuesit 5 kërkesat kërkesat e tyre ndaj qeverisë, mes të cilave dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike 12-mujore, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe shfuqizimi i disa ligjeve dhe paketave që, sipas tyre, cenojnë interesin publik.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës, duke rrethuar fillimisht Bashkinë, e duke vazhduar edhe në zona të tjera.
Protestuesit paralajmëruan gjithashtu një tjetër tubim nesër në orën 10:00 para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ku kanë ftuar edhe sindikatat t’u bashkohen.
Po ashtu gjatë fjalës së tyre ata i bënë thirrje edhe ambasadorit Eric Wendt, duke u shprehur se ata janë popull proamerikan dhe kanë nevojë për aleatët e tyre.
Kërkesat:
- Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
- Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
- Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
- Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
- Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
- Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
- Paralelisht, kërkojmë:
- Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
- Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
- Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
- Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
- Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.



