LajmeRajon

Qerkini: Brukseli e ka stagnuar procesin e personave të pagjetur

Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Bajram Qerkini, ka deklaruar se Brukseli e ka stagnuar procesin e personave të pagjetur, edhe pse e ka cilësuar si prioritet humanitar.

Qerkini pasi bëri homazhe te memoriali për të Pagjeturit, tha se ende duhet të punohet në këtë drejtim.

“Brukseli me vendimet e veta duke thënë se duhet të jenë prioritet humanitar personat e pagjetur, e ka stagnuar komplet procesin e personave të pagjetur. Cep në cep ka qenë kryeministri por edhe zonja që mund t’i them hero, për me tregu të metat që janë ende pa u zbardhur fati i mbi 1600 personave, mes tyre 133 fëmijë. Duhet ende shumë të punohet”, tha Qerkini para mediave.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se sot është një ndër ditët më të dhimbshme të Kosovës.

“Sot shënojmë 25-vietorin e masakrës më të madhe të kryer kundër shqiptarëve në Kosovë, në luftën e fundit, pra në masakrën e Mejës. Po ashtu, i bashkohem dhimbjes së të gjithë familjarëve të të zhdukurve me dhunë, që mungesa është e papërshkrueshme, dhimbje që ta shpon shpirtin, sepse familjarët e të zhdukurve ende nuk kanë ku ta vendosin një lule”, deklaroi presidentja.

Ajo tha tutje se një numër i madh i të zhdukurve janë fëmijë të vegjël.

“Serbia flen mbi varreza mazive, dhe bën krim të dyfishtë, sepse kreu krimin, dhe është duke fshehur krimin edhe 25 vite pas. 1600 të zhdukur, janë familjarë të gjithë Kosovës. Plaga do të mbetet e hapur derisa të kthehen të gjithë”, potencoi ajo.

Related Articles

Back to top button
Close
Close