
Në fillim të vitit 2025, Emine Haxhiu Memishi aplikoi për pozitën e Bashkëpunëtores së Re në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Kishte gjithçka që i duhej, një diplomë në ekonomi nga Universiteti i Tregtisë së Stambollit, një notë mesatare 9.88, një vit përgatitje profesionale, dhe vullnetin për t’u kthyer e për të punuar në vendlindje, në një kohë kur shumë bashkëmoshatarë të saj zgjedhin të largohen.
Por kishte edhe një notë tjetër që Emineja nuk e kishte llogaritur, një notë që nuk gjendej as në diplomën e saj, as në mesataren, as në rekomandimet e profesorëve. Ishte 0.5, koeficienti që Maqedonia e Veriut ua cakton të gjitha universiteteve të huaja që nuk figurojnë në tri rang-listat e mëdha ndërkombëtare. Ky koeficient e nxori Eminen jashtë gare që në fazën e parë të konkursit. “U ndjeva e zhgënjyer dhe e padrejtësuar”, thotë 31 vjeçarja për KOHA. “Ishte e vështirë të pranoja që një kandidate me mesatare 9.88, me diplomë në ekonomi dhe me përvojë profesionale në Turqi dhe Londër, të eliminohej që në fazën e parë”.
Deri vonë, punësimi në administratën shtetërore mbrohej pjesërisht nga një mekanizëm i quajtur Balancues, i krijuar për të siguruar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve jo-shumicë, mes të cilave shqiptarët përbëjnë komunitetin më të madh.
Por në tetor të vitit 2024, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Balancuesin, pas një ankese se ai mundësonte abuzime gjatë punësimit në sektorin publik. Për ta mbushur këtë zbrazëti, qeveria miratoi në prill një Ligj të ri për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Mirëpo ligji ka ngecur në Parlament, ku një pjesë e deputetëve shqiptarë thonë se nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme. Ndërkohë, nuk ka mbetur asgjë që ta zbusë atë që kritikët e quajnë një sistem të vjetruar dhe diskriminues, i cili vlerëson universitetet, dhe bashkë me to të diplomuarit e tyre, shpesh në dëm të shqiptarëve.
“Rangimi i universiteteve mund të shërbejë si tregues për analiza institucionale, por nuk duhet të jetë faktor përcaktues në punësimin e individëve”, thotë Berat Dehari, dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Evropian në Shkup. “Punësimi duhet të bazohet në meritë, kompetencë dhe aftësi profesionale”.
SHQIPTARËT, TË PREKURIT KRYESORË
Pa një ligj të ri për përfaqësim të drejtë, punësimi në administratën shtetërore rregullohet nga Ligji për Nëpunësit Administrativë i vitit 2014 dhe një urdhëresë shoqëruese, të cilat përcaktojnë një procedurë rekrutimi në tri faza. Në fazën e parë, kandidatët vlerësohen me pikë sipas arsimit, përvojës së punës dhe njohurive të tjera, ku pjesa më e madhe, deri në 30 nga 40 pikë gjithsej, i takon arsimit. Por nota mesatare e kandidatit nuk merret ashtu si është, ajo shumëzohet me koeficientin e universitetit nga i cili ka diplomuar.
Për universitetet e huaja, koeficienti varet nga vendi që zënë në tri rang-listat ndërkombëtare, Shanghai Ranking, Times Higher Education dhe QS World University Rankings, ndërsa për universitetet vendore varet nga renditja e tyre nga Ministria e Arsimit. Çdo universitet që nuk figuron në listë, si Universiteti i Tregtisë së Stambollit, merr koeficientin më të ulët të mundshëm, 0.5. Kështu, mesatarja 9.88 e Eminës u kthye në vetëm 4.94 pikë. Në të njëjtin konkurs, një kandidat me mesatare 7.0 nga Universiteti shtetëror Shën Cirili dhe Metodi në Shkup do të merrte 14 pikë, falë koeficientit maksimal 2.0 të këtij universiteti. Studenti me notën më të ulët do ta mposhtte lehtësisht atë me notën më të lartë.
Në vitin 2025, nga 2,707 studentë që diplomuan në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi, më pak se tetë për qind ishin shqiptarë. Shumica e studentëve shqiptarë ndjekin dy universitetet publike në gjuhën shqipe, Universitetin e Tetovës dhe Universitetin më të vogël Nënë Tereza në Shkup. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2025 në Universitetin e Tetovës diplomuan 1,083 studentë, prej të cilëve 855 shqiptarë, ndërsa në Universitetin Nënë Tereza nga 198 të diplomuar 174 ishin shqiptarë. Pra shumica dërrmuese e të diplomuarve shqiptarë vjen pikërisht nga dy universitetet publike që marrin koeficientët më të ulët.
Me rreth 7800 studentë në vitin akademik 2023 dhe 2024, Universiteti i Tetovës është i dyti më i madh në vend. Megjithatë, ai renditet i teti nga nëntëmbëdhjetë institucione në rang-listën e Ministrisë së Arsimit, çka i jep koeficientin 1.43. Universiteti Nënë Tereza, i themeluar në vitin 2016, nuk figuron fare në listë, sepse ministria nuk e ka përditësuar rangimin që atëherë, prandaj studentët e tij marrin koeficientin më të ulët të mundshëm, 0.5.
Sipas ligjit, ministria duhet ta përditësojë rang-listën çdo tre vjet. E pyetur nga KOHA pse nuk e ka bërë këtë, ministria nuk u përgjigj. “Shpesh ndodh që kandidatët me diploma nga universitete të caktuara, brenda ose jashtë vendit, edhe pse kanë mesatare të lartë, mbeten jashtë mundësisë për të vazhduar në fazën e dytë”, thotë Muhamed Krasniqi, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Administratë.NJË KOEFICIENT QË NUK PËRDITËSOHET
Për vite me radhë, Balancuesi bënte që përfaqësimi i komuniteteve në administratë të pasqyronte peshën e tyre në popullsi, duke zbutur pjesërisht efektin e koeficientit universitar.
Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat synon të krijojë një kornizë të re, por ndryshe nga Balancuesi, ai nuk parasheh as kuota të përcaktuara, as sanksione për institucionet që nuk e sigurojnë përfaqësimin e drejtë. Në vend të tyre, parashihen masa politike që duhet të përcaktohen me akte nënligjore brenda gjashtë muajve nga miratimi.
Pikërisht kjo mungesë është kritikuar ashpër nga opozita. Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët thonë se pa sanksione, zbatimi i ligjit do të mbetet praktikisht vullnetar. Nga ana tjetër, VLEN, partneri shqiptar në qeveri i partisë VMRO-DPMNE të kryeministrit Hristijan Mickoski, këmbëngul se ligji është i mirë dhe do të garantojë mundësi e trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët. Ndërkohë, universitetet dhe studentët e tyre mbeten të varur nga një sistem rangimi që askush nuk e përditëson. Universiteti i Tetovës i tha BIRN-it se ka shkruar disa herë te Ministria e Arsimit dhe deri te Gjykata Supreme, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Ky mostrajtim i barabartë i kandidatëve përbën një diskriminim të qartë, duke ua ulur vlerën universiteteve që kanë kaluar të gjitha fazat e akreditimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të universitetit. “Studentët tanë punësohen pa asnjë problem kudo në botë, ndërsa në vendin e vet diskriminohen”. Situata e Universitetit Nënë Tereza është ndoshta edhe më e rëndë.
“Shteti e ka themeluar Universitetin Nënë Tereza, e ka akredituar dhe e ka njohur si universitet publik, por për shkak se nuk e ka përditësuar rang-listën, të diplomuarit e tij trajtohen me koeficientin më të ulët”, thotë Blendi Hodai, drejtor i Forumit për Ndryshime në Arsim. “Studentët nuk mund të ndëshkohen sepse ministria nuk ka bërë rangim të ri. Nëse një universitet është themeluar nga shteti dhe funksionon si pjesë e sistemit publik, është e papranueshme që të diplomuarit e tij të trajtohen si më pak të vlefshëm në konkurset e vetë shtetit”, thotë ai. Hodai thekson se hendeku i madh mes koeficientëve nuk ka lidhje me cilësinë reale të universiteteve.
“Universiteti Shën Kirili dhe Metodi ka koeficient sa dy apo tre universitete të tjera bashkë. Kjo do të kishte kuptim nëse do të ishte ndër më të mirët në botë”, thotë ai. “Por sot, kur nuk është as në top 500, as në top 1000, as në top 2000, ky hendek nuk mund të arsyetohet. Në praktikë, favorizon një universitet dhe i nënvlerëson të tjerët, duke i dëmtuar studentët, sepse ata vlerësohen jo për njohuritë e tyre, por për një koeficient të vjetruar”.
Suhejb Mehmedi, student në Universitetin Nënë Tereza dhe avokat i studentëve të tij, e ndan të njëjtin mendim. “Nuk është e drejtë që diploma e një universiteti publik dhe të akredituar të vlerësohet me koeficientin më të ulët. Vlerësimi duhet të bazohet në cilësinë e studimeve, jo në kritere që i vënë studentët në pozitë të pabarabartë”, thotë Mehmedi. Universiteti Nënë Tereza nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
TRAJTIM I BARABARTË?
Edhe universitetet private renditen kryesisht në gjysmën e poshtme të listës së ministrisë. Universiteti FON në Shkup, për shembull, ka koeficientin 1.09, ndërsa Universiteti MIT, po në kryeqytet, e mbyll listën me 0.99. Dekani Berat Dehari, nga Universiteti privat Evropian i Shkupit, thotë se sistemi i diskriminon të diplomuarit e universiteteve private, duke ua kufizuar mundësitë për punësim në administratën publike.
“Kjo cenon sigurinë juridike dhe parimin e trajtimit të barabartë”, thotë ai. Asnjë nga universitetet private të kontaktuara nuk pranoi të flasë publikisht për ndikimin e këtij sistemi te të diplomuarit e tyre. Ndërkaq, Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi tha se nuk ka marrë asnjë ankesë lidhur me koeficientin universitar apo vendin e studimit. I pyetur nëse metodologjia mund të konsiderohet diskriminuese, Komisioni u përgjigj se kjo është e mundur në procedura të caktuara, por vlerësimi varet nga fakti nëse ky kriter ka qëllim legjitim, siç është përmirësimi i cilësisë së administratës publike.Agjencia për Administratë tha se nuk mban të dhëna për universitetet nga të cilat kanë diplomuar të punësuarit në administratën shtetërore. Por vetë zëvendësdrejtori i saj, Muhamed Krasniqi, e pranon problemin hapur. “Mendoj se ky sistem nuk siguron vlerësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, sepse nuk është reale që një rangim i tillë të përcaktojë vlerësimin praktik të njohurive të një kandidati”, thotë ai, duke kërkuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë në Ligjin për Nëpunësit Shtetërorë. Ministria për Administratë Publike e mbrojti sistemin, duke thënë se të gjithë kandidatët trajtohen njëlloj.
“Rangimi i universiteteve në rang-lista relevante ndërkombëtare u parashikua si tregues shtesë i cilësisë akademike dhe i kompetencës së kandidatëve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë. “Kriteret zbatohen njëlloj për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike, gjuhës në të cilën kanë studiuar ose shtetit ku e kanë fituar arsimimin”. Megjithatë, në fund ministria pranoi se po shqyrton mundësi për ta ndryshuar sistemin, pa dhënë asnjë afat, duke thënë se po vlerësohen modele të ndryshme për të siguruar një sistem më të drejtë, transparent dhe të bazuar në merita.
NJË PËRJASHTIM NË RAJON
Asnjë vend tjetër në rajon nuk përdor një metodë të ngjashme për punësimin në sektorin publik. Në Shqipëri, kandidatët vlerësohen sipas përvojës profesionale, trajnimeve, kualifikimeve dhe rezultateve, pa u marrë parasysh rangimi i universitetit. Në Kosovë, vlerësimi bazohet në arsimin, përvojën profesionale dhe aftësitë e kërkuara për pozitën. Serbia i teston njohuritë dhe aftësitë e kandidatëve përmes paneleve të përzgjedhjes, po ashtu pa asnjë koeficient të bazuar në rang-listat botërore.
Në praktikë, në të tria këto vende politika luan rolin e vet, ku partitë në pushtet shpesh i mbushin vendet e punës në sektorin publik me aktivistë, mbështetës dhe të afërm.
Në korrik të vitit 2025, Parlamenti Evropian i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në BE, ta modernizojë administratën publike mbi baza meritore, të adresojë politizimin e saj dhe të sigurojë llogaridhënien e institucioneve. Po ashtu, Raporti i Sundimit të Ligjit për vitin 2025 vuri në dukje mangësi konkrete në procedurat e emërimeve, ku në disa raste kandidatët e përzgjedhur nuk e kishin përvojën e nevojshme profesionale ose nuk i plotësonin kriteret.
Ndërkohë, Emine Haxhiu Memishi ende nuk e ka vendosur nëse do të aplikojë sërish në administratën publike. Diploma e saj është e nostrifikuar nga Ministria e Arsimit, mesatarja e saj është 9.88, dhe universiteti i saj është partner i Bashkimit Evropian. Por asgjë nga këto nuk mjaftoi.
“Nuk kërkoj trajtim të veçantë”, thotë ajo. “Kërkoj vetëm trajtim të drejtë dhe të barabartë. Nëse një diplomë është njohur dhe pranuar nga institucionet kompetente, atëherë nuk duhet të zhvlerësohet vetëm për shkak të koeficientit të universitetit”.
(Ky artikull u realizua në kuadër të MOST, Organizata Mediatike për Gazetari më të Fortë Ndërkombëtare, një partneritet gazetaresk i financuar nga programi Creative Europe, që mbështet mediat e pavarura të specializuara në raportimin ndërkombëtar



