
Nga Urim Saliu
Ariani shkoi në protestë. Frika mbeti në deklarata.
Ariani kishte mbaruar shkollën e mesme dhe si qytetar me të drejtë vote, vendosi të marrë pjesë në protestën në Tetovë për çështjen e emrave të rrugëve. Para se të nisej, ai kishte lexuar deklaratat e Ministrit të Ekonomisë, i cili kishte pohuar se ekzistonin informacione për trazira. Për këtë arsye, Ariani vendosi të mos i merrte me vete as prindërit e tij, ndonëse edhe ata ndanin të njëjtën pakënaqësi për zhvillimet që sipas tyre, kanë prekur shqiptarët gjatë dy viteve të fundit.
Por kur protesta përfundoi, ndodhi pikërisht e kundërta e asaj që ishte paralajmëruar. Tubimi kaloi i qetë, pa incidente, pa dhunë dhe pa trazira. Qytetarët protestuan dhe u shpërndanë në mënyrë paqësore.
Kjo ngre një pyetje legjitime politike nëse protesta përfundoi pa asnjë ngjarje të rëndë, prej nga buronin informacionet që u paraqitën si të besueshme për trazira? A ishin ato informacione të verifikuara, apo vetëm vlerësime që krijuan frikë te qytetarët?
Nëse një ministër i Qeverisë deklaron publikisht se posedon informacione për rrezik të sigurisë, ndërsa ngjarja zhvillohet krejtësisht ndryshe, atëherë është e arsyeshme të kërkohet shpjegim. Kryeministri duhet ta pyesë ministrin e kabinetit të tij se nga i mori ato informacione, kush ia dha dhe pse rezultuan të pasakta?
Sepse kur paralajmërimet për trazira nuk mbështeten nga realiteti, ato rrezikojnë të krijojnë panik të panevojshëm dhe të dekurajojnë qytetarët nga ushtrimi i një të drejte demokratike , asaj të protestës paqësore.



