LajmeRajonTopLajm

​Pronat e sekuestruara Radoiçiqit do t’i kalojnë policisë pa ankand publik

Qeveria e Kosovës ka ndryshuar udhëzimin-administrativ që mundëson që pronat e sekuestruara të kryeterroristit Milan Radoiçiq t’i kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim institucioneve të sigurisë. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dërgimin e FSK-së jashtë vendit. Krahas kësaj, u emërua bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovë si dhe u morri vendimi për shpronësimin e pronave nevoja të terminaleve publike doganore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se pronat në veri të terroristit Milan Radoiçiq do të kalojnë institucioneve të sigurisë pa ankand publik, përmes ndryshimit të udhëzimit administrativ sa përket pronave të sekuestruara dhe konfiskuara.

“Plotësim-ndryshimi i udhëzimit në fjalë ka një rëndësi esenciale për faktin se eliminon procedurat e tej zgjatura të kalimit në menaxhim të shfrytëzimit të pasurive të luajtshme, por edhe atyre të paluajtshme kur këtë e kërkon institucioni publik. Secili institucion publik që kërkon një pronë që është në fazën e sekuestrimit mund të marrë atë në shfrytëzim me qera pa ekzekutim të procedurave të ankandit publik. Ky ndryshim është bërë edhe me qëllim që disa prona që janë në fazën e sekuestrimit dhe që gjendet në pika të veçanta strategjike të kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim të institucioneve të sigurisë. Synimi është rritja e sigurisë shtetërore dhe territoriale në atë pjesë të vendit. Bëhet fjalë për pronat e kryeterroristit Milan Radoiçiq që tashmë janë në menaxhim të Ministrisë së Drejtësisë”, tha ajo.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, tha se përmes Projektligjit për banim social dhe të përballueshëm do të sigurohet qasje e drejtë dhe barabartë në banim për të gjithë qytetarët.

Sipas tij, grupet që do të përfitojnë janë familjet me situatë ekonomike të vështirë, të papunët, të pastrehët, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit të qenies njerëzore, të rinjtë, komunitetet jo shumicë.

“Ky projektligj synon të sigurojë qasje të drejtë dhe të barabartë në banim për të gjithë qytetarët tanë. Grupet që do të përfitojnë janë familjet me situatë ekonomike të vështirë, të papunët, të pastrehët, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit të qenies njerëzore, të rinjtë, komunitetet jo shumicë dhe grupet të tjera të përcaktuara në projektligj. Zbatimi i këtij ligji përfshinë programin për banimin social, banimin e përballueshëm për çiftet e reja dhe rindërtimin dhe ndërtimin e familjeve në nevojë”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, qeveria miratoi edhe udhëzimin administrativ për “edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve”, për çka ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se i njëjti do të garanton se vendimet dhe veprimet që do të merren nga institucionet edukative arsimore, do të jenë në përputhje me Konventën për të drejtat e fëmijëve.

“Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është përcaktimi i organizimit, funksionimit dhe bashkëpunimit si dhe përcaktimi i roleve dhe detyrave për të gjitha institucionet edukative arsimore në edukimin për mbrojtjen e fëmijës në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky udhëzim garanton se të gjitha vendimet dhe veprimet që ndërmarrin institucionet edukative-arsimore udhëhiqen nga parimet e konventës për të drejtat e fëmijës”, deklaroi ajo.

Qeveria emëroi Petrit Nahin kryesues të bordit të drejtorëve në Telekomin e Kosovës, ndërkaq anëtarë, Rrezarta Pllanën, Sanije Thaçi dhe Lindita Toçin.

Ndërkaq, vendosi edhe për hartimin e një strategjie për adaptimin e Kosovës në ndryshimet klimatike.

Related Articles

Back to top button
Close
Close