LajmeMaqedoniRajon

Produktet nga Maqedonia e Veriut i zëvendësojnë ato serbe në Kosovë

Ka më shumë se dy muaj që tregu i Kosovës ka nisur të pakësohet nga produktet e Serbisë.

Vaji, gruri, pijet freskuese e të tjera janë zëvendësuar me produkte të shteteve të tjera.

Qeveria e Kosovës i ka ndaluar pothuajse të gjitha importet nga Serbia qysh më 15 qershor, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.

Ndërkohë që policët janë liruar për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së prodhimeve ka vazhduar.

Në Doganën e Kosovës konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se hyrja e prodhimeve serbe ka rënë dukshëm.

Në qershor dhe korrik të këtij viti, vlera e importeve serbe ka qenë afër 20 milionë euro, apo mbi 50 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zyrtarë të Doganës sqarojnë se importet që kanë vazhduar, përfshijnë produkte të lëndës së parë dhe gjysmë-produkte që nevojiten për prodhimin final.

Në disa dyqane ushqimore që ka vizituar Radio Evropa e Lirë këtë javë në Prishtinë, vërehen mungesa ose sasi të vogla të produkteve serbe.

Rritje importesh nga vendet tjera

Në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) thonë se bizneset i kanë zëvendësuar tashmë shumicën e produkteve nga Serbia me produkte nga vendet e tjera.

“Disa kompani të huaja, që i kanë prodhuar produktet e tyre në Serbi, i kanë riorientuar bizneset tona te fabrikat që i kanë në rajon, për t’u furnizuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut është bërë destinacion kryesor i bizneseve të Kosovës, sepse afërsia territoriale nuk e rrit transportin e mallrave, e rrjedhimisht as çmimin e tyre.

“Qytetarëve u janë ofruar produkte me kualitet të njëjtë dhe nuk ka ngritje të çmimeve, edhe pse [produktet] janë importuar nga një shtet tjetër”, thotë Rafuna.

Në muajin korrik, vlera e mallrave që kanë hyrë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut, ka kaluar 30 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, bëhet fjalë për afër 8 milionë euro më shumë.

Rritje importesh është shënuar edhe nga vendet e tjera, si për shembull Gjermania: mbi 53 milionë euro korrikun e vitit të kaluar, afër 70 milionë euro korrikun e këtij viti.

 

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close