LajmeRajonTopLajm

Presidenti i Shqipërisë pritet nga Papa Françesku në Vatikan, flet edhe për Kosovën

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u prit në një audiencë të veçantë në Selinë e Shenjtë në Vatikan nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku.

Begaj e ka falënderuar përzemërsisht Papa Françeskun për këtë pritje, si dhe për mesazhet e paqes dhe thirrjet për t’i dhënë fund konflikteve të armatosura, sidomos në zonat e nxehta, Ukrainë dhe Lindje e Mesme.

“Presidenti i Republikës konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në krah të aleatëve perëndimorë për zgjidhjen përmes dialogut si e vetmja garanci për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit e më gjerë”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit të Shqipërisë më 06.05.2024.

Begaj i dhuroi Atit të Shenjtë një pikturë të Kishës së Kuvendit të Rubikut, ikonë e krishtërimit shqiptar dhe një ndër kishat më të vjetra në Ballkan.

Në njoftim tutje thuhet se Begaj u prit në një takim edhe nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Parolini.

“Presidenti Begaj falënderoi Sekretarin e Shtetit për mbështetjen që Selia e Shenjtë i jep proceseve integruese të Shqipërisë. Gjithashtu, i përcolli Sekretarit të Shtetit progresin që Kosova ka bërë në procesin e reformave, të shtetit të së drejtës, respektimit të pakicave dhe integrimit në organizmat ndërkombëtare”- thuhet në njoftim.

Vatikani vazhdon të mbetet një nga vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur më 17.02.2008.

Related Articles

Back to top button
Close
Close