LajmeMaqedoniTopLajm

Pollogu pa ujë cilësor për pije

Pjesa dërmuese e vendbanimeve rurale në rrethinën e Tetovës kanë probleme me ujin e pijshëm. Në këta vendbanime uji nuk është për pije dhe ka ndalesë që qytetarët ta shfrytëzojnë për konsum, por vetëm për nevoja higjienike. Analizat e gjysmëvjetorit të këtij viti, tregojnë se 64 për qind e vendbanimeve nuk kanë ujë cilësor. Kësisoj, uji në vendbanimet rurale është i ndotur dhe autoritetet e atjeshme nuk bëjnë kujdes të mirëmbajnë rrjetet e ujësjellësve në mënyrë të rregullt, pohojnë mjekët nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë.

“Rezultatet për ujin e pijshëm në këtë gjysmëvjetor për vendbanimet rurale nuk janë të mira. Gjendja nuk përmirësohet aspak, kështu në mjediset rurale 64.7 përqind nga rezultatet e analizave mikrobiologjike nuk janë të mira. Kjo do të thotë se dy e treta e analizave të bëra nëpër fshatra nuk korrespondojnë me parametrat që nevojiten. Pak më mirë janë rezultatet fiziko-kimike, diku rreth 14 për qind janë të mira këta parametra. Aspak nuk jam i kënaqur me këta rezultate”, deklaroi Ratko Davidovski, mjek në Qendrën për Shëndet Publik në Tetovë.

Mirëpo, për dallim nga vendbanime rurale, në qytetin e Tetovës rezultatet e ujit janë të mira sepse uji mirëmbahet, pastrohet dhe dezinfektohet në kohë dhe ka ekipe që mirëmbajnë rregullt sistemin e ujit. Shembull i mirë janë edhe disa vendbanime të cilët mund të numërohen në gishta, ku uji është i mirë dhe i pijshëm. Bëhet fjalë për fshatrat Radiovcë, Bërvenicë, Sedllarcë e epërme, Odri, Jazhinca dhe Zhelinë.

Ndërsa, vendbanimet tjera kanë probleme me ujin e pijshëm. Situata me vendbanimet ku ka probleme me ujin është edhe pasojë sepse uji i lumenjve futet në sistemin e ujësjellësit për shkak të mungesës së mjaftueshme të ujit nga burimet. Kjo e vështirëson edhe më shumë situatën, ndërsa mjekët thonë se problem kryesor mbetet mos dezinfektimi i ujit.

“Kjo ndodh sepse në mënyrë gjenerale nuk bëhet dezinfektim i ujit, nuk rezulton se është bërë dezinfketim. Burimet nuk janë të mbrojtura, sidomos zona e parë duhet të jetë e ndaluar për qasje dhe çdo kush mund të afrohet në burime. Kaptazhet nuk mirëmbahen, nuk pastrohen, kemi defekte në rrjetin e ujësjellësve, poashtu edhe rezervuarët e ujit nuk mirëmbahen, nuk ka mirëmbajtje adekuate i tërë sistemit. Kryesorja është se nuk bëhet dezinfektim i ujit”, tha Ratko Davidovski, mjek në Qendrën për Shëndet Publik në Tetovë.

Nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, nuk dëshirojnë të thonë emrat e fshatrave ku uji nuk është i pijshëm, por nënvizojnë se 64 për qind e vendbanimeve rurale në rajonin e rrethinës së Tetovës kanë probleme me cilësinë e ujit dhe i njëjti është i ndaluar për pije. Edhe pse pjesa dërmuese e komunave rurale kanë të krijuara ndërmarrje publike megjithatë ata duhet më shumë të angazhohen që të sigurojnë ujë cilësor për banorët.

Related Articles

Back to top button
Close
Close