
“Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje, ndërmjetësues kemi shumë”-është ky reagimi nga zyra e kryeministrit Albin Kurti për drafin e propozuar nga kryeministri Edi Rama ditën e djeshme
“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj.
Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë.”-thuhet në reagim.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditën e djeshme u ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.



