
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) ka shpallur tërheqjen e plotë të militantëve të saj nga territori turk, si pjesë e një procesi të gjerë çarmatosjeje dhe integrimi politik që po zhvillohet në bashkëpunim me qeverinë turke.
Në një deklaratë publike të lexuar të dielën, 26 tetor, në malet Qandil, bastioni historik i grupit në veri të Irakut, PKK tha se ky vendim synon të krijojë bazat për një “jetë të lirë, demokratike dhe vëllazërore”, duke theksuar se “topi tani është në fushën e Ankarasë”, e cila duhet të hapë rrugën për tranzicionin e grupit drejt politikës legale, raporton La Repubblica.
“Jemi në rrugën e duhur për të realizuar projektin e paqes të udhëheqësit Öcalan”, deklaroi nga Qandil zëdhënësi i PKK-së, Zagros Hiwa, për agjencinë Reuters.
“Tani i takon Turqisë të bëjë ndryshime politike dhe të përgatisë një mjedis të përshtatshëm për zbatimin e këtij projekti.”
Një hap i paprecedent drejt paqes
Ky zhvillim vjen pas vendimit të majit 2024, kur PKK njoftoi zyrtarisht se do të çarmohej dhe do të shpërbëhej, në përgjigje të një apeli historik nga Abdullah Öcalan, lideri i grupit që ndodhet në burg që prej vitit 1999.
Që prej vitit 1984, PKK ka zhvilluar një kryengritje të armatosur kundër shtetit turk, një konflikt që ka shkaktuar mbi 40 mijë viktima. Në korrik, grupi dogji publikisht disa armë në një akt simbolik “vullneti të mirë”, duke sinjalizuar seriozitetin e tij në procesin e çarmatosjes.
Gjatë ngjarjes në Qandil, rreth dy duzina luftëtarësh të PKK-së u shfaqën në formacion ushtarak, me një portret gjigant të Öcalan-it në sfond, një skenë që La Repubblica e përshkruan si “momentin më të ngarkuar emocionalisht të ditës”.
Reagimi i Ankarasë
Zëdhënësi i partisë në pushtet AKP, Ömer Çelik, përshëndeti vendimin e PKK-së në një reagim në platformën X, duke e cilësuar si “një rezultat konkret të objektivit për një Turqi të lirë nga terrorizmi”.
Sipas Çelik, hapi i grupit “do të kontribuojë në përcaktimin e kuadrit pozitiv që do të udhëhiqet nga një komision parlamentar për fazën ligjore të procesit të integrimit”.
Nga rebelim në kërkesë për autonomi
Pas dekadash përplasjesh, PKK ka zhvendosur bazat e saj në veri të Irakut, pasi forcat turke e kanë shtyrë përtej kufirit juglindor. Ushtria turke vijon të kryejë operacione të rregullta ajrore dhe tokësore kundër bazave të grupit në atë zonë, ku ka ngritur edhe disa avamposte ushtarake.
Me kalimin e viteve, qëllimet e PKK-së kanë ndryshuar, nga krijimi i një shteti të pavarur kurd, drejt kërkesave për më shumë të drejta kulturore dhe një formë autonomie lokale në rajonet me shumicë kurde të Turqisë juglindore.
Qeveria turke thotë se është e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë kurde, por këmbëngul se nuk do të lejojë asnjë lëvizje me prirje separatiste.
Çështja e Öcalan-it mbetet kyçe
Megjithë sinjalet e pajtimit, figura e Abdullah Öcalan-it mbetet thelbësore për vazhdimin e procesit të paqes. Në një intervistë për AFP, një nga drejtuesit e PKK-së, Devrim Palu, tha se “lirimi i Öcalan-it është thelbësor që procesi të ecë përpara me efektivitet”.
“Vetëm një gjest politik nga Ankaraja mund të konsolidojë arritjet e deritanishme”, shtoi Palu nga Iraku.
Një proces me ndikim rajonal
Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Turqisë dhe PKK-së mund të kenë pasoja të rëndësishme për rajonin, përfshirë Sirinë, ku forcat kurde siriane konsiderohen nga Ankaraja si një zgjatim i PKK-së.
Nëse procesi i çarmatosjes përfundon me sukses, mund të hapet rruga për fundin e një konflikti 40-vjeçar dhe për një kapitull të ri në marrëdhëniet turko-kurde.
/tvklan.al



