OpinionTopLajm

Pikpamja e Çelo Hoxhës nga Tirana

Nëse rreth dikë në turmë ke bërë një akt rrugaçërie. Nëse një nga turma rreh një kandidat, më së paku, ia ke prishur imazhin e tij. Pra, ke fituar, ose ke ndihmuar partinë tënde, politikisht. Në një sherr të kësaj natyre, çdo politikan humbet pikë, ndërsa qytetari i përfshirë përfiton influencë politike.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Fushatat elektorale në Shqipëri janë shoqëruar rregullisht me ngritje të tensionit politik. Edhe pas 3 dekadash me zgjedhje periodike shumëpartiake, politikanët nuk e kanë kthyer në normë garimin me qetësi dhe largimin nga skena ose hyrjen në të me dinjitet. Në fushatën e saponisur, kryeministri është bërë shkak për çekuilibrimin e normalitetit.

Më 10 mars, në një aktivitet elektoral, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, në vend që të fliste për arritjet e qeverisë së tij, jo në një por dy mandate rresht, ose të shpaloste programin e fushatës së re, ose të dyja bashkë, u përpoq të ngrinte vlerat e kandidatëve për deputetët të partisë së tij, duke denigruar kandidatët e opozitës. Ai nxori një pas një, në një monitor, dy foto çdo herë, njëra e kandidatit të partisë së tij dhe tjetra e një kandidati të opozitës. Fotot e kandidatëve të Partisë Socialiste ishin të kuruara, foto posterash për fushatë, ndërsa fotot e kandidatëve të opozitës ishin zgjedhur qëllimisht denigruese. Dikush ishte në një foto me kanatiere, dikush me rroba plazhi, dikush ishte me gjuhën jashtë dhe, më e rënda, një zonjë të opozitës, e nxori me gojën hapur, me mikrofonin shumë pranë gojës, duke aluduar për akte pervese. Kaq duhej që debati programor i partive, nëse ishte nisur ose kishin ndërmend ta nisnin, të dilte nga shinat.

Më 14 mars, për Ditën e Verës, ishte festë zyrtare. Dy liderët kryesorë politikë, Rama dhe Basha, shkuan në Elbasan, qytet simbol në Shqipëri për festimin e kësaj feste. Aty mbështetësit e të dy partive u përplasën me njëri-tjetrin. Nuk dua t’i hyj analizimit të ngjarjes, nuk ka rëndësi kush e nisi e kush ishte përgjegjës, por një gjë është e sigurt: në asnjë tubim politik nuk ndodh dhunë nëse drejtuesi i tij është kundër dhunës. Sjellja e turmës reflekton vullnetin e drejtuesit të saj. Nëse gjenerali këput një kokërr nga pema, është një thënie që s’ia kujtoj autorin, ushtarët do t’i nxjerrin asaj dhe rrënjët. Për situatën në fjalë mund të thuhet: nëse kryetari i partisë denigron opozitën publikisht, anëtarët e thjeshtë të partisë do të synojnë dhunimin fizik të saj.

Katër ditë më vonë, po në Elbasan, një biznesmen i afërt me PS-në në pushtet, dhe një kandidat i PD-së, bënë lajm për një përplasje fizike. Të dy personat e përfshirë në konflikt pretendonin se ishin viktima, të dy kishin bërë, sipas mediave, denoncim në polici kundër njëri-tjetrit. Asnjë deklaratë ose argument i tyre nuk ka rëndësi. As roli i policisë nuk ka vlerë, kur hetimet të mbarojnë, edhe nëse i japin dënimin që i takon personit fajtor, qëllimi i incidentit është përmbushur pa ndëshkim – dëmi është bërë tashmë.

Për vlerësimin e një incidenti të tillë mjafton common sense: nuk ka kandidat politik që del në fushatë të rrihet me grushte, sado i fortë që të jetë. As që mund të provokojë sherr. Edhe më krimineli i kandidatëve qoftë. Nuk ka kuptim të rrahësh dikë me grushte, nuk fiton gjë. Ndërsa nga turma ka njerëz që mund të provokojnë një kandidat ose dhe ta rrahin, sepse objekti është më i përkufizuar dhe me profil publik. Nëse rreth dikë në turmë ke bërë një akt rrugaçërie. Nëse një nga turma rreh një kandidat, më së paku, ia ke prishur imazhin e tij. Pra, ke fituar, ose ke ndihmuar partinë tënde, politikisht. Në një sherr të kësaj natyre, çdo politikan humbet pikë, ndërsa qytetari i përfshirë përfiton influencë politike. Tre episode, për të përkufizuar një fushatë, janë shumë pak ose gjithçka, kur nuk ka gjë tjetër.

Pak ditë më vonë, kryeministri Rama e prezantoi programin elektoral për ujin e pijshëm dhe energjinë, në një sallë plotë ekrane, në më të madhin e të cilëve shfaqej një ujëvarë, e cila dukej sikur derdhej në sallë, duke kaluar poshtë këmbëve të Ramës. Sinjali që çështja e ujit të pijshëm do të kthehej në një nga shtyllat e fushatës së tij të ardhshme elektorale u dha më 17 nëntor 2020, me një konferencë shtypi për çështjen e ujit, teksti i së cilës gjendet në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Kjo nuk ishte hera e parë që Rama bënte premtime fushate për ujin. Më 2013, ai premtoi t’i jepte fund çështjes së ujit në katër vjet dhe videot e asaj fushate u ripostuan në internet. Në njërën prej tyre, Rama thotë: “Me dy gjëra, këto katër vite, do merrem unë personalisht dhe pas katër vitesh do të përgjigjem unë personalisht: legalizimin falas të shtëpive dhe ujin e pijshëm [24 orë] në çdo shtëpi”. Sipas këtij premtimi, çështja e ujit të pijshëm duhet të kishte marrë fund më 2017.

Le t’i hedhim një sy situatës së ujit gjatë periudhës 2013-2020, bazuar në raportet vjetore të Entit Rregullator të Ujit (ERRU), të cilat gjenden në faqen zyrtare të tij.

Më 17 nëntor 2020 kryeministri Rama deklaroi se në Shqipëri ka 23 zona urbane me ujë të pijshëm 24 orë. Sipas raportit të ERRU, për vitin 2020, gjashtë zona urbane mbulohen me ujë 24 orë: Korçë, Librazhd, Gramsh, Përmet, Poliçan, Fushë Arrëz. Me përjashtim të Korçës, e cila kishte ujë 24 orë para vitit 2013, të tjerat janë ndër bashkitë më të vogla në Shqipëri, e të gjitha bashkë nuk bëhen sa Korça.

Po në atë konferencë, Rama deklaroi se mbulimi me ujë i popullsisë ka qenë (pa specifikuar vitin se kur) 59,1%, ishte – në kohën që ai fliste, nëntor 2020 – 75.8%, dhe, sipas tij, në fund të vitit 2021 do të jetë 85.6%. Në raportin e ERRU-s për vitin 2020, thuhet se mbulimi i furnizimit me ujë “është përkeqësuar nga 76,8%, që ishte në vitin 2019, në 75.8% në vitin 2020”. Në vitet e qeverisjes së PD-së – 2011, 2012, 2013 (gjysma e vitit) – mbulimi me ujë të pijshëm në nivel kombëtar ishte 80.8%. ERRU thotë se ulja gjatë vitit 2020 ka qenë pasojë e “riorganizimit të sektorit”, por ulja ka qenë e vazhdueshme që nga viti 2015, kur ishte 79%.

Sa u përket kanalizimeve, gjatë tetë viteve të qeverisjes socialiste, bazuar në raportet zyrtare, nuk është hapur asnjë metër kanal. Mbulimi me kanalizime në nivel kombëtar për vitin 2020 ishte më i ulët se në vitin 2013 e 2012 dhe i barabartë me vitin 2011. Më 2020 mbulimi me kanalizime ishte në nivel 50.8%, aq sa ishte në vitin 2011, 0.2% më i ulët se në 2012, 2013, 2014. Në vitet 2015, 2016, 2017, bazuar në raportin vjetor të ERRU për vitin 2017, niveli i kanalizimeve zbriti në 50%. Dallimi është një shifër shumë e ulët për t’u quajtur regres, por është i qartë fakti që nuk ka pasur rritje.

Një tregues tjetër, rritja e kohëzgjatjes së furnizimit me ujë të pijshëm në nivel kombëtar, ka pasur rritje minimale. Në gjashtë vjet, 2014-2020, kohëzgjatja është rritur 1.6 orë në ditë, kur nga viti 2012 në 2013 është rritur me 0.7 orë. Nëse do të ishte ruajtur ritmi i rritjes së kohëzgjatjes së furnizimit me ujë i vitit 2013, më 2020 rritja e kohëzgjatjes së furnizimit me ujë duhet do të kishte qenë 4.2 orë në 24 orë.

Humbjet e ujit (uji pa të ardhura) kanë ardhur në rritje që nga viti 2011, kur ishin në nivelin 63%; më 2020 ky tregues është 65.1%. Në vitin 2011 humbjet ishin ulur në 7% krahasuar me vitin 2009, pastaj kanë pasur rritje të luhatshme, por prej vitit 2017 qëndrojnë në nivelin 65%.

Treguesit e furnizimit me ujë të pijshëm, ato që janë trajtuar këtu dhe ato që nuk janë trajtuar për të mos e bërë argumentin të lodhshëm e të mërzitshëm (nëse nuk është bërë me kaq), gjatë qeverisjes socialiste në dy mandate, në tërësi, tregojnë stanjacion ose rënie, krahasuar me rezultatet e qeverisjes së mëparshme në mandatin e saj të dytë (të dhënat e ERRU-s në faqen zyrtare fillojnë më 2009).

Përshkrimin e detajuar të çështjes së ujit e bëra për të nxjerrë në pah moskokëçarjen e një soji politikanësh për faktet. Atyre u intereson një narrativë pozitive e sajuar. Edi Rama është më tipiku i tyre. Ai ka rreth 20 vjet që nuk merr pjesë në debate politike me kundërshtarët e tij, pikërisht se nuk i pëlqen të përballet me këndvështrim tjetër për botën, veç atij që ekziston në mendjen e tij. Ai edhe gazetarët nuk i lejon në konferenca shtypi të bëjnë pyetje pa porosi. Në ndonjë rast kur ndonjë gazetar ka dalë nga skema dhe ka bërë ndonjë pyetje serioze, ai ka sulmuar direkt gazetarin/en ose pronarët e medies së tij/saj.

Ky soj politikanësh nuk është pa histori në Shqipëri. Më famëkeqi i tyre ka qenë Enver Hoxha, i cili i thoshte të zezës e bardhë pa iu dridhur qerpiku, sepse e kontrollonte me rreptësi informacionin. Demagogët e sotëm nuk e kanë këtë luks, sepse informacioni është më i lirë dhe, siç vihet re, unë jam bazuar në raporte të përgatitura nga institucione të shtetit shqiptar.

Përveç dëmit të në politikën e brendshme, kësi lloj politikanësh, që e ngrenë suksesin mbi manipulim me informacionin, janë sektarë në politikën e brendshme dhe pa autoritet në politikën e jashtme.

Sa për krahasim. Sali Berisha, një ndër politikanët më seriozë në skenën shqiptare, në tetë vjet si kryeministër realizoi disa objektiva strategjike të rëndësishme, që nuk shlyhen dot nga kujtesa e kombit: anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë në BE, ndërtimi i rrjetit të rrugëve, sidomos Rruga e Kombit, me rëndësi të dyfishtë. Rama ka qëndruar po aq sa Berisha në pushtet dhe nuk mund të përmendë asnjë arritje të atij kalibri, madje ka punuar për zhbërjen e ndonjërit prej tyre. Vendosja e taksës në Rrugën e Kombit ka qenë në dëm të interesave të dy shteteve shqiptare. Në qeverisjen e Berisha, Shqipëria luajti një rol konstruktiv në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të cilën presidenti amerikan George W. Bush e paralajmëroi nga Tirana. Nga ana tjetër, Rama është përfolur se është përpjekur që në marrëdhëniet Kosovë-Serbi të përfitojë më shumë kjo e dyta (taksa në Rrugën e Kombit është fakt).

Që punët së brendshmi t’i ketë mirë dhe së jashtmi të nisë t’i rregullojë, Shqipëria ka nevojë që më 25 prill të organizojë zgjedhje normale, të pranueshme, nga të gjitha palët. Procesi i rregullt e bën në mënyrë të natyrshme selektimin e të mirës nga e keqja. Kosova, shtet 10 herë më i ri në moshë, është shembulli më i afërt në kohë dhe hapësirë për Shqipërinë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close